Top 11 i La Liga 2012/13 (FOTO LAJM)

Willy Caballero - Malaga
La Liga ishte edhe kampionati i fundit që mbylli siparin e sezonit 2012-2013, krahasuar me ligat e tjera kryesore në Europë. Barcelona u rikthye sërish te titulli kampion pas një viti pushim, Real Madrid dështoi në të gjitha kompeticionet, ndërsa Atletico Madrid arriti të fitojë Copa del Rey pikërisht në finalen përballë "Los Blancos". Por mes më të mirëve nuk duhet harruar edhe surpiza e këtij edicioni: Real Sociedad. Skuadra baske do të jetë në Champions League sezonin e ardhshëm duke mposhtur ekipe të tilla si Valencia apo edhe Malaga.

Ndaj dhe ne, formacionin më të mirë të sezonit në Primera Division e kemi ndërtuar mbi këto katër ekipe, por pa harruar edhe portierin e Malagas, Willy Caballero, i cili ka bërë një sezon shumë të mirë si në La Liga ashtu edhe në Champions League.

Në një ekip të ndërtuar me skemën 4-3-3 në portë kemi vendosur Caballeron; në mbrojtje jemi munduar të poziciojmë lojtarë të rinj por që kanë shpërthyer gjatë këtij sezoni si: Varane, Inigo Martinez apo Filipe Luis duke lënë jashtë emra si Ramos, Pique dhe Jordi Alba.

Në qëndër të mesfushës kemi talentin e Sociedad Asier Illarramendi, i shumëkërkuar në merkato pas një sezoni brilant, ndërsa në krah kemi dy emra të mëdhenj: Ozil dhe Iniesta.

Për sulmin dyshimet ishin shumë të pakta: treshja magjike Messi-CR7-Falcao. Të tre së bashku këtë sezon kanë shënuar plot 108 gola (Messi 46, Ronaldo 34 dhe Falcao 28).

Ndërsa stoli i takon Diego Simeones. Tekniku argjentinas i Atletico Madrid ka mundur të fitojë tre trofe në tre vjet me "Los Colchoneros": Europa League, Super Kupën e Europës dhe së fundmi Copa del Rey. /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2013, ora 17:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori