Rreziku/ Greva e "Air France" pritet të prekë planet e Euro 2016
Për fat të keq, greva e “Air France” pritet të prekë Euro 2016. Raportohet se pilotët e linjës ajrore kombëtare franceze kanë nisur një grevë katër ditore, e cila mund të ndikojë në planet e mijëra tifozëve për ditën e dytë të kampionatit Euro 2016.

“Air France” ka anuluar deri në 30 për qind të fluturimeve të saj të planifikuara për këtë të shtunë, por bëri të ditur se do t’u kushtojë prioritet udhëtimeve në qytetet ku zhvillohen ndeshjet e turneut.

Sindikata e pilotëve i kërkon qeverisë të tërheqë ligjet e reja të punës, që bëjnë më të lehtë punësimin por edhe pushimin e njerëzve nga puna. Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Presidenti Francois Hollande, i cili u ka bërë thirrje sindikatave që të shmangin bllokimin e kampionatit.

“I bëj thirrje kujtdo që ka një sens përgjegjshmërie, sepse nëse shteti duhet të bëjë detyrën e tij, dhe do ta bëjë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha Hollande.

“Eshtë e nevojshme që ata që marrin pjesë në këto veprime, ose që i organizojnë ato, të mbajnë mbi shpatulla përgjegjësitë... në mënyrë që ky event i madh të kthehet në një festival popullor”. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2016, ora 10:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori