Blatter siguron: "Brazil 2014", i suksesshëm
Ndërkohë që nga Katari mbërrijnë shifra te denja për një bilanc lufte me punëtorë që kanë humbur jetën në ndërtimin e stadiumeve të Botërorit 2022, presidenti i FIFA-s jep garanci të plotë se Kupa e Botës e këtij viti do të jetë një histori suksesi, ndonëse nuk la pa kritikuar autoritetet braziliane për vonesat në përfundimin e infrastrukturës, si dhe për mungesën e sigurisë për punëtorët.

Duke folur nga Kosta Rika, ku ndoqi disa ndeshje të Botërorit U-17 për femra, Sepp Blatter deklaroi se FIFA nuk mund të marrë përgjegjësinë për humbjen e jetës së një punëtori javën e kaluar në ndërtimin e stadiumit në Sao Paulo. Në total numërohen 7 persona që kanë humbur jetën në stadiumet e Botërorit të Brazilit, 5 prej të cilëve në 6 muajt e fundit, kur puna ka ecur me ritme më të shpejta që gjithçka të jetë gati për ndeshjen hapëse të 12 Qershorit.

"Kush është përgjegjës? Eshtë FIFA? Jo nuk besoj, edhe pse gjithmonë gishti drejtohet tek ne. Eshtë detyrë bazë e autoriteteve lokale t’u garantojnë siguri punëtorëve. Ne nuk mund të shkojmë dhe të ndjekim çdo ndërtim që bëhet", u shpreh numri një i futbollit botëror.

Tre stadiume janë ende në konstruksion në jug të vendit, megjithatë, pavarësisht problemeve të shumta, Blatter parashikon një Botëror të suksesshëm në Brazil. Zviceriani pohoi se ka shumë vonesa, por kjo ka ardhur si pasojë nga fakti që nuk është punuar për disa vjet. /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2014, ora 12:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori