Guardiola "tremb" Barçën, viziton Messin në Brazil
Mund të jetë edhe thjesht një vizitë pune, por kontakti i parë direkt i Pep Guardiolës me Lionel Messin bën të dyshojnë edhe më fanatikët te Barcelona. Nuk është më një sekret tashmë që marrëdhënia e teknikut të Bayern Munchen me yllin argjentinas është ndër më të ngushtat që një trajner mund të ketë me ish-lojtarin e tij. Ajo vazhdon të jetë e fortë, aq sa ka trembur dhe të përditshmen katalanase "Sport".

Trajneri i kampionëve të Gjermanisë ka vendosur të takohet me ish-yllin e tij në Porto Alegre, madje do të jetë edhe në tunelin e stadiumit, ku ai pritet të vizitojë Kombëtaren e Argjentinës. Pep ka vendosur që ta shohë në stadium ndeshjen e fundit të skuadrës së Alejandro Sabellas kundër Nigerisë më 25 qershor, dhe në Spanjë janë të sigurt se arsyeja e vizitës surprizë të 43-vjeçarit nuk është thjesht për të ndjekur Albicelestet, por t’i shpalosë "Pleshtit" planet e Bayern Munchen për të ardhmen.


Pavarësisht se Messi ka rinovuar vetëm pak javë më parë në "Camp Nou", dyshimet e mëdha për të ardhmen e tij vijojnë të mbeten pas tranzicionit që po kalojnë katalanasit.

Një ditë pas ndeshjes, Guardiola do të udhëtojë drejt Buenos Airesit ku do të komentojë bashkë me ish-trajnerin e Barcelonës, Gerardo Martino, ecurinë e Kombëtares bardhekaltër në Brazil. /albeu.com/



Shtuar më 19/06/2014, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori