Një Kolumbi e motivuar përballë Brazilit
Një lajm interesant nga Kolumbia në këtë atmosferë të ndezur Botërori. Mijëra djem të porsalindur janë pagëzuar me emrat e heronjve të ekipit kombëtar si James Rodriguez, Faryd Mondragon dhe Jackson Martinez, por ka patur edhe nga ata fëmijë që kanë marrë emrin e trajnerit argjentinas Jose Pekerman. Pas 16 vjetësh mungesë në Kupën e Botës, me të drejtë kanë arsye për të festuar si të çmendur kolumbianët e për më tepër që kanë arritur deri në çerekfinale ndaj Brazilit.

Mbrojtësi Carlos Valdes pranoi se ekipi i Selecaos është tepër i fortë për t’u kaluar, megjithatë sipas tij, shanset ekzistojnë për Los Cafeteros.

"Kemi një skuadër që është rritur jo vetëm në aspektin futbollistik, por edhe nga ana psikologjike. Jemi forcuar ditë pas dite, duke e ditur se çfarë na pret. E dimë që përballë do të kemi një kundërshtar të fortë, një skuadër që konsiderohet favorite, por ne kemi besim tek puna që kemi bërë deri tani", ka thënë Valdes.

Ndryshe nga më parë theksoi Valdes, në kombëtaren kolumbiane ka më shumë eksperiencë, falë futbollistëve që luajnë në kampionatetet më prestigjioze.

"Kjo gjeneratë lojtarësh ka sjellë ndryshim dhe rritje të madhe në futbollin kolumbian. Kemi në ekip lojtarë me eksperiencë, të cilët i ka bashkuar dëshira dhe ëndrra për të triumfuar. Kjo na jep harmoni, forcë dhe motivim për të shkuar sa më larg", vijoi ai.

Për Kolumbinë dhe Brazilin është hera e parë që rrugët e tyre kryqëzohen në një Kupë Bote. Fituesi i këtij çifti më pas do të gjejë Francën ose Gjermaninë në gjysmëfinale. /albeu.com/
Shtuar më 02/07/2014, ora 14:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori