Ronaldo "Ok", titullar ndaj Gjermanisë
Ndonëse dy ditë më parë paniku i një dëmtimi të radhës në gjurin e majtë u rindez nga një qese me akull që është parë në këmbën e tij gjatë gjithë stërvitjes, dje, media portugeze, por njëkohësisht edhe ajo gjermane, kanë konfirmuar se ylli luzitan Cristiano Ronaldo është stërvitur me pjesën tjetër të grupit, duke treguar edhe rezultate fantastike në testet e fundit fizike.

Trajneri Paulo Bento e ka detyruar liderin e formacionit të tij që t’i nënshtrohet sprinteve të shumëfishta dhe vrapimeve me ngarkesë mbi shpatulla, por në fund gjuri i tij i ka kaluar me sukses të gjitha këto prova, prandaj ai do të jetë normalisht në fushë kundër Gjermanisë nesër pasdite.

Pasi fitoi Champions League me Real Madrid, tashmë 29- vjeçari kërkon që të nisë një tjetër sfidë personale kundër të gjithë botës, pasi me rivalët gjermanë ai ka një llogari të hapur, duke qenë që "Pancerat" e kanë munduar thuajse gjithmonë në përplasjet e tyre të fundit në Europianë e Botërorë.

Gjithsesi, në pritje për të parë nëse Cristiano Ronaldo do e fitojë edhe këtë betejë të radhës, ai ka mundur magjinë e shtriganit ganez, i cili deri një javë më parë mburrej në median e të gjithë botës se kishte nxjerrë jashtë funksioni "Topin e Artë 2013″, aq sa ai nuk do kishte asnjë shpresë për të luajtur në Brazil.

Por CR7-ën sivjet duket sikur nuk e ndal asgjë, pasi po mund jo vetëm cilëndo skuadër që i del përpara, por edhe magjitë e zeza të fiseve afrikane. /albeu.com/



Shtuar më 15/06/2014, ora 13:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori