Shqipëria me dyshime në mbrojtje
Edhe pse nuk e bën të ditur formacionin për të respektuar të gjithë lojtarët e grumbulluar, idenë se çfarë skuadre mund të shohim ndaj Islandës, trajneri Gianni De Biasi e ka dhënë. Duke parë edhe miqësoren e sotme me Olimpikun, pritet që në qendër të mbrojtjes përpara Ujkanit të jenë Mavraj dhe Curri, duke spostuar në mesfushë kapitenin Lorik Cana.

Agolli pritet të rikthehet në krahun e majtë të mbrojtjes teksa dilema qëndron në të djathtë ku Lila është në balotazh me Dallkun. Por duke parë që De Biasi kërkon një skuadër të kujdeshme në fushë me idenë për të përfituar nga gabimet e kundërshtarit, atëherë me shumë mundësi në fushë do të kemi Lilën, kjo nisur dhe nga forma që po kalojnë të dy mbrojtësit.

Në mesfushë përkrah Canës duhet parë nëse italiani i stolit kuqezi do të vendosë Bulkun apo do t’i japë kënaqësinë e sfidës së tretë kosovarit Burim Kukeli. Në sulm pritet të jenë Bogdani dhe Salihi të cilët mund të mbështeten nga Roshi dhe Meha.

Një formacion me katër lojtarë sulmues por tepër i kujdesshëm për kundërsulmin e islandezëve, të cilët në cdo cast janë të gatshëm të rrezikojnë.

Megjithatë deri përpara ndeshjes duhet parë se cila do të jetë gjendja e futbollistëve, ku shqetësimi më i madh vjen në qendër të mbrojtjes, pasi Mavraj ka patur probleme dhe Curri vjen nga dëmtimi i gjatë. /albeu.com/
Shtuar më 11/10/2012, ora 17:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori