Van Gaal kundër FIFA-s: Po favorizon Brazilin
Trajneri i Holandës Louis Van Gaal ka kritikuar Fifa-n për mungesën Fair Play-it kundrejt skuadrës që ai drejton. Portokallinjtë tashmë të kualifikuar në fazën tjetër do të përballen nesër në orën 18:00 me Kilin për të përcaktuar skuadrën që do të renditet e para në grupin B. Ekipi që do të përfundojë fazën e grupeve në krye sipas të gjitha gjasave do të evitojë një përplasje me Brazilin në raundin tjetër.

Sipas Van Gaal, Fifa po bën çdo gjë për të favorizuar vendin organizator dhe sipas tij nuk është aspak e drejtë që Holanda të zbresë në fushë 4 orë përpara Brazilit, pasi tulipanët takimin e dytë në grup e kanë zhvilluar një ditë më vonë se Seleçao.

"Fifa në çdo ndeshje publikon spote të ndryshme përsa i përket Fair Play-it dhe drejtësisë në futboll. Megjithatë mënyra e tyre për të përcaktuar oraret e ndeshjeve nuk më duket aspak Fair Play pasi çdo gjë bëhet për të favorizuar Brazilin. Por pavarësisht këtyre trukeve nga qeveria e futbollit Botëror ne do të zbresim në fushë për të arritur një fitore përballë Kilit. Dhe unë jam i bindur se rezultati i sfidës me Holandës dhe Kilit nuk do të ndikojë shumë te Brazili pasi ata e kanë për të detyrë të triumfojnë në takimin e fundit përballë Kamerunit", është shprehur tekniku holandez.

Kombëtarja "Tulipane" në sfidën me Kilin do të vuajë mungesën e kapitenit Robin Van Persie i cili është i skualifikuar por edhe atë të qëndërmbrojtësit Bruno Martins Indi me këtë të fundit që pësoi një dëmtim në ndeshjen me Australinë.

I pyetur se cilët do të jenë dy lojtarët që do ti zëvendësojnë ata, Van Gaal nuk deshi të zhbalancohej.

"Kemi në skuadër disa futbollistë që janë të dëmtuar por edhe një të skualifikuar. Megjithatë nuk dua të flas për emra futbollistësh në veçanti pasi në këtë mënyrë mund t’u jap pika referimi kundërshtarëve tanë. Ne kemi zhvilluar disa seanca stërvitore dhe unë jam i lumtur që mediat holandeze nuk kanë zbuluar asgjë sa i përket formacionit që do të hedh në fushë në ndeshjen me Kilin", përfundoi Van Gaal. /albeu.com/
Shtuar më 22/06/2014, ora 19:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori