Casillas beson: "Remuntada" e mundshme
Edhe pse mungon në apel prej një periudhe të gjatë Iker Casillas rikthehet të flasë si një kapiten i Real Madrid. Numri një i "Los Blancos", edhe pse nuk preferohet në formacion, flet për mënyrën se si skuadra duhet të arrijë "remuntadën" ndaj Borussia Dortmund në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së champions league. Humbja 4-1 është shumë e rëndë por Casillas nuk dorëzohet.

"Në 90 minuta gjithcka mund të ndodhë. Jemi vetëm një ndeshje larg finales së "Wembley" dhe duhet të vdesim në fushë për të qënë atje. Kushdo që do të zbresë në fushë do të bëjë më të mirën për të arritur këtë rezultat. Kemi një mundësi të fundit, jemi të zemëruar dhe shumë të mërzitur. Megjithatë i njoh shokët e skuadrës dhe e di që të martën do të zbresin në fushë për t'i treguar tifozëve që ishte thjesht një ditë e keqe dhe se gjithcka do të përmbyset", është shprehur portieri madrilen.

Sigurisht që në konferencën për shtyp nuk kanë munguar ngacmimet edhe për marëdhënien e tij me trajnerin Mourinho, të cilën kapiteni e konsideron thjesht profesionale.

"Ai nuk është gjaknxehtë, është i ndershëm dhe na thotë të vërtetën. Nga ana profesionale kemi respekt për njëri-tjetrin dhe flasim vetëm rreth futbollit. Personalisht kemi një marrëdhënie të ndryshme. Xabi Alonso e ka shpjeguar më parë këtë situatë kështu që nuk duhet të ndalemi shumë. Kemi tjetër marrëdhënie nga ana profesionale dhe tjetër marëdhënie në aspektin personal. Por të dy jemi pjesë e klubit", vijoi Casillas.

Gjithashtu Casillas foli edhe për situatën aktuale në portën e Real Madrid, duke vlerësuar kolegun e tij Diego Lopez për punën e kryer. Sipas kapitenit Lopez ka qënë një nga pikat më të forta të skuadrës këtë periudhë. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2013, ora 18:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori