Luis Enrique: Nuk mund të fitosh gjithmonë 4-0
Pëlqej
Pavarërisht rezultatit minimal ndaj Apoel Nicosias, trajneri i Barcelonës Luis Enrique ka shumë arsye për të qenë i lumtur. Me katalanasit në sfidën e parë të fazës së grupeve të Champions League debutuan katër futbollistë. Ter Stegen, Munir, Sergi Samper dhe Sandro.

"Sergi Samper ishte i shkëlqyer. Nuk është e lehtë të debutosh në një ndeshje të Championsit. Mendoj se bëri vetëm një gabim në pasim, por që nuk pati asnjë pasojë. Ai është një zbulim i madh i klubit. Edhe Ter Stegen u paraqit shumë mirë, sidomos në momentet e kundërsulmeve të kundërshtarëve", është shprehur tekniku blaugrana.

Më pas Enrique e justifikoi fitoren minimale ndaj skuadrës qipriote me faktin që kundërshtari luajti i tërhequr në zonën e tij.

"Ky është futbolli, një shembull i vështirësive që do të hasim gjatë sezonit. Të gjithëve na pëlqen të fitojmë 4 apo 5 me zero, por kjo është e pamundur. Nuk është e lehtë të krijosh raste shënimi përballë një skuadre që mbyllet në zonën e tij, me dy sulmuesit në rolin e shkatërruesve", vijoi Luis Enrique.

Trajneri asturian e konsideroi një rezultat mjaft të leverdisshëm për Barcelonën edhe barazimin në "Amsterdam Arena" mes Ajax dhe Paris Saint Germmain, që janë rivalët kryesorë të grupit. /albeu.com/
Shtuar më 18/09/2014, ora 11:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori