Martino: Meritonim të fitonim
Gerardo Tata Martino preferon ta shikojë gotën gjysmë plot në përfundim të ndeshjes me Milanin. Pika e marrë në "San Siro", për mënyrën e lojës që zhvilloi skuadra katalanase, mund t’i qëndrojë ngushtë blaugranave, por tekniku argjentinas e sheh atë me pozitivitet:

"Mund ta analizosh ndeshjen në dy mënyra të ndryshme. Duke parë pozicionin në grup dhe duke marrë në konsideratë faktin që luajtëm dy ndeshje në transfertë radhazi, besoj se është një pikë e mirë. Nëse më pas shikon sesi rrodhën 90 minutat, është e qartë që ky rezultat nuk është i mjaftueshëm dhe skuadra meritonte më shumë", është shprehur Martino.

Për Martinon, Milani luajti mirë në startin e lojës, falë dhe faktorit Kaka, ndërsa më pas ishte skuadra e tij që dominoi:

"Kundërshtari ishte shumë prodhues në 10 minutat e para, më pas vuajti kontrollin e topit nga ana e Barcelonës, e cila për 75 minuta e mbylli Milanin në portën e tij. Besoj se influenca e Kakas prodhoi atë start të kuqezinjve. Ai u kuptua shumë mirë me Robinhon, duke lëvizur shpejt dhe duke shfrytëzuar cdo gabim tonin. Më pas ne komanduam ndeshjen por ata u mbrojtën mirë. Gjithsesi e rëndësishme është që jemi të parët në grup", përfundoi tekniku argjentinas.

Sfida e ardhshme mes dy ekipeve do të jetë në "Camp Nou" dhe një sukses i katalanasve në atë përballje do t’i siguronte kualifikimin atyre dy ndeshjes para mbylljes së grupit.
Shtuar më 23/10/2013, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori