Mourinho: Nëse nuk fitonin do ishim në telashe
Chelsea u rikthye në garë për kualifikimin në Champions League, pasi mundi 4-0 Steaua Bukureshtin në transfertë. Një sukses bindës ky për londinezët, që kishin nevojë për të, sidomos pas humbjes së pësuar në shtëpi nga Baseli dy javë më parë, që ngriti jo pak pikëpyetje mbi ecurinë e "Bluve" në kompeticionin më të madh europian.

Tre pikë që qetësojnë dhe Jose Mourinhon, i cili gjithësesi kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke theksuar se për skuadrën e tij ka ende shumë punë për të bërë.

"Nëse nuk do të fitonim do të ishimtelashe, dhe si pasojë e faktit që humbëm ndeshjen e parë në shtëpi. Tani e kemi vetë gjithçka në dorë. Ndeshjen e tretë do ta luajmë në shtëpi dhe ky përbën një avantazh për ne, megjithatë të mos harrojmë që dy sfidat e radhës do t’i kemi me Schalken. Unë mendoj se në këtë grup gjithçka është e hapur. Duhet t’i hedhim hapat një e nga një dhe të tregohemi të kujdesshëm", u shpreh tekniku portugez i Chelsea-t.

Kritikat ndaj Mourinhos ishin shtuar jo pak kohët e fundit, pasojë dhe e asaj humbjeje 1-2 në shtëpi me Basel, aq sa në vigjilje të sfidës me rumunët, trajneri portugez braktisi dhe sallën e konferencave, i "bezdisur" nga pyetjet e gazetarëve. /albeu.com/
Shtuar më 02/10/2013, ora 11:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori