Mungon Messi, Martino gati planin rezervë
Lionel Mesi nuk do udhëtojë me Barcelonën në Skoci, por kjo nuk i ka demoralizuar katalanasit. Trajneri Gerardo "Tata" Martino zbulon se ka gati një plan për rastet kur ylli argjentinas nuk do jetë në dispozicion. "Normale që mungesa e Messit është e rëndësishme, pasi është një futbollist që nuk mund ta zëvendësojë askush. Gjithsesi, ne nuk jemi skuadër që varemi vetëm nga një futbollist. Kam gati një plan se si do luajë ekipi kur të mungojë Leo", u shpreh trajneri i Barcelonës.

"Mund të luajë Neymar si sulmues qendre, por edhe Alexis Sanchez mund të alternohet. E di që ka luajtur Fabregas në të shkuarën, por të them të drejtën mendoj se do ishte më i vlefshëm duke qenë pak më i tërhequr. Kemi shumë alternativa dhe për këtë jam i kënaqur", shtoi Martino.

Për sfidën e sotme ndaj Celtic, ku një vit më parë katalanasit kanë humbur, kreu i pankinës tha: "Nuk po shkojmë atje për të shlyer gabimet e së shkuarës. Nuk jemi klub që mendojmë për revansh apo gjëra të tilla. Na interesojnë tri pikët dhe do japim maksimumin për t’i marrë. Celtic është një ekip shumë i fortë në fushën e vet dhe ka një mbrojtje kompakte. Nuk është e lehtë të gjesh hapësira, por në kompeticione si Champions League diferencën e bën saktësia para portës. Nëse arrijmë të shfrytëzojmë si duhet rastet tona, atëherë besoj se do dalim të fituar".

Në fund, ai komentoi edhe dy muajt e tij në krye të klubit spanjoll: "Unë nuk kam ndryshuar aspak, jam po i njëjti. Thjesht po shikoj dashurinë e këtij vendi për futbollin. Po mundohem të jem maksimalisht i përqendruar në punën time dhe njëkohësisht të fitoj vëmendjen dhe përkushtimin e futbollistëve. Na pret një rrugë e gjatë së bashku, megjithatë kam besim se do jetë mjaft e suksesshme", përfundoi tekniku argjentinas. /albeu.com/



Shtuar më 01/10/2013, ora 18:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori