"Nuk është zgjidhur gjithçka, por më pëlqeu reagimi"
Pëlqej
Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar ekipin e tij për reagimin pas atij fillimi zhgënjyes në La Liga, teksa madrilenët mposhtën thellë 5-1 Baselin, në ndeshjen hapëse të Champions League, dje në mbrëmje.

Duke qenë se vinin nga dy humbje, 2-1 në derbin me Atletico Madrid nëë fundjavë dhe 4-2 ndaj Real Sociedad një ndeshje më herët, "Los Blancos" u pritën me vërshëllima nga tifozët e vet, kur kanë kaluar vetëm 4 muaj nga ngritja e trofeut më prestigjioz europian, për të dhjetën herë në histori.

Gjithsesi, kriza e besimit të tyre është lehtësuar disi, pasi golat e Gareth Bale, Cristiano Ronaldos, James Rodriguez dhe Karim Benzemasë, përfshi edhe autogolin e Marek Suchy, u siguruan atyre një fitore bindëse në këtë nisje të fushatës së mbrojtjes së titullit kampion europe për klube.

"Reagimi i ekipit ishte shumë pozitiv. Ushtruam presion shumë mirë në pjesën e parë dhe krijuam shumë raste. Ende nuk është zgjidhur gjithçka, por më pëlqeu mënyra se si reagoi ekipi", është shprehur Carlo Ancelotti.

Ancelotti këmbënguli se nuk është habitur nga kritikat për formën e treguar së fundi nga Reali, prej fansave dhe medias në kryeqytetin spanjoll, por theksoi se do të vazhdojë punën me më shumë intensitet, ashtu siç bëri vitin e kaluar, kur korri një sukses të jashtëzakonshëm, duke i rikthyer madrilenët në majën e Europës.

"Kur humbet një ndeshje derbi është normale të nervozohesh. Nuk është e zakonshme për ne të humbasim dy ndeshje radhazi, ndaj dhe e shoh si diçka pozitive këtë. Ndeshja ishte e lehtë, sepse e nisëm shumë mirë dhe në 30 minutat e para ushtruam presing, luajtëm shpejt dhe shënuam shumë gola, ndaj dhe mund ta kontrollonim përgjatë gjithë kohës ndeshjen", shtoi Ancelotti. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori