Rikthehet Champions League, drithërima për Arsenalin e Napolin
Pëlqej
Rikthehet madhështia e Champions League. Eventi më spektakolar vjen këtë të martë me 5 sfidat e para të fazës Play-Off. Napoli, Arsenal, Athletic Bilbao dhe Bayer Leverkusen do të jenë katër skuadrat e mëdha që do të zbresin në fushë me synimin për të hedhur një hap të sigurt drejt fazës së grupeve që në ndeshjen e parë.

Në "San Paolo" do të luhet sfida më e fortë e këtij turi pareliminator, ku të kaltrit e drejtuar nga Rafa Benitez do të kenë përballë Athletic Bilbaon e Ernesto Valverdes, një kundërshtar që duhet ta marrin seriozisht në konsideratë. Vitin e shkuar Napoli bënte pjesë në grupin e ferrit sëbashku me Borussia Dortmund, Arsenal dhe Marseille dhe skuadra e drejtuar nga spanjolli Benitez edhe pse në 6 ndeshje grumbulloi plotë 12 pikë nuk arriti të kualifikohej për më tej.

Shorti nuk u tregua bujar me Napolin as këtë vit pasi i ka vendosur përballë që në start një kundërshtar të frikshëm si Athletic Bilbao që e mbylli kampionatin spanjoll në vendin e katërt. Në merkaton e kësaj vere skuadra bardhekuqe ka humbur një lojtar të rëndësishëm si Ander Herrera që u largua te Manchester United, megjithatë baskët kanë arritur të ruajnë shtyllën kurrizore të ekipit me lojtarë si Iker Munain, Markel Susaeta, Oscar De Marcos apo Aritz Aduriz, cka do të thotë se ata nuk janë aspak inferiore përballë Napolit. Në këtë sfidë trajneri i i të kaltërve Rafa Benitez pritet t’i besojë gjithë aritilerisë së tij të rëndë. Higuain, Hamsik, Mertens e Callejon pritet të zbresin në fushë që nga minuta e parë pasi vetëm me lojtarë të tillë në formacion Napoli mund ti japë drejtim kësaj sfide. Megjithatë kjo e martë dhuron të tjera përballje interesante përvec asaj që do të luhet në San Paolo.

Në “Ataturk Olympic Stadium” të Stambollit, Besiktas do të masë forcat me Arsenalin. Skuadra e Arsene Wenger që sezonin e shkuar të Champions League u eliminua në ruandin e 1/8 nga Bayerni është forcuar ndjeshëm në merkato dhe synon të shkojë sa më larg në eventin më madhor për klubet në Europë. Arsenali vjen në këtë sfidë pas dy fitoreve radhazi, 1 në Comunity Shield ndaj Manchester City-it dhe një tjetër në javën e parë të Premier League përballë Crystal Palace.

Wenger ka probleme me grupin e tij të futbollistëve pasi treshja gjermane, Mesut Ozil, Per Mertesacker dhe Lukas Podolski edhe pse janë grumbulluar nuk pritet ta nisin sfidën si titullarë.

Nga ana tjetër Besiktashe sheh veten në fazën play-off të Champions League pas eliminimit që i bëri Feynoordit në raundin e tretë me rezultatin e përgjithshëm 5-2. Skuadra e drejtuar nga kroati Slaven Bilic edhe në këtë përballje do të ketë mundësi të mbështet te Demba Ba. Sulmuesi senegalez mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës si blerja e madhe e skuadrës turke në këtë merkato, pasi ka qenë pikërisht Arsenali skuadra që e ka kërkuar me ngulm në të shkuarën. Këtë sfidë do të keni mundësi ta ndiqni live në kanalet Ss2 dhe Ss2 Hd duke filluar që nga ora 20:45.

Kjo e martë do të risjellë gjithashtu në skenë edhe dy sfida të tjera më pak të rëndësishme për nga cilësia por me vlerën e një biletë për në fazën e grupeve. Ato janë: Salzburg-Malmoe dhe Steaua e Bukureshtit-Ludogorets, me dy skuadrat vendase që shihen ndjeshëm favorite për të avancuar më tej. /albeu.com/
Shtuar më 19/08/2014, ora 09:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori