Shorti i Championsit, sot “play-off”-et
Pëlqej
"League Route" - Porto do të synojë të marrë pjesë në fazën e grupeve të Champions League për herë të 19, ndërkohë që Athletic Club do të shpresojë t’i japë fund një mungese 16-vjeçare në to, kur nga shorti i ditës së sotme, në 12:00, t’u bëjë të ditur kundërshtarët e tyre të fazës së "play-off"-eve në "League Route".

Ndër favoritët e "League Route" janë Arsenali, Porto, Zeniti, Leverkusen dhe Napoli, ndërsa më pak favoritët janë Athletic Bilbao, Lille, Kopenhagen, Standardi i Liezhit dhe Besiktas.

Procedura e shortit i ndan ekipet në dy vazo, pretendentët më vete dhe jofavoritët më vete. Do të merret nga një ekip prej të dyja vazove, do të vendosen në një tjetër vazo qendrore, nga ku ekipi i parë që do të zbulohet do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi, kundër rivalit të dytë.

"CHAMPIONS ROUTE"

Sa i përket "Champions Route", ish-fituesit e Kupës së Europës, Steaua Bukuresht dhe 3 debutuesë me shanse potenciale për të marrë pjesë në grupe, janë mes ekipeve që do të ndahen sërish në dy vazo, në shortin e sotëm.

Mes pretendentëve janë Salcburgu, Steaua Bukuresht, APOEL, BATE Borisov dhe Ludogorets Razgrad, ndërkohë që te jofavoritët përfshihen Maribor, Legia e Varshavës, Slovan Bratislava, Malmo dhe Aalborg.

Edhe në këtë sektor, shorti është i ngjashëm. Ekipet favorite në një vazo dhe ato më pak favorite në vazo tjetër. Përzgjedhja e 1 ekipi nga secila vazo do t’i nënshtrohet një tjetër “përzgjedhjeje” në vazon qendrore, për të caktuar se cili ekip do të luajë ndeshjen e parë në fushën e tij dhe cili në transfertë.

SHËNIM: 10 fituesit e “play-off”-eve do t’i bashkohen 22 ekipeve që hyjnë automatikisht në fazën e grupeve, për të cilën do të hidhet shorti në Monako, më 28 Gusht. /albeu.com/
Shtuar më 08/08/2014, ora 09:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori