Simeone: Duhet maksimumi për të mundur Juven
Pëlqej
"Një finale"! Kështu e cilësoi trajneri i Atletico Madrid, Diego Pablo Simeone përballjen e nesërme Juventusin në Champions League. "Los Colchoneros" vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3-2 në Athinë ndaj Olympiacos dhe sipas "El Cholo"-s që kampionët e Spanjës të mposhtin një rival shumë të fortë sic janë bardhezinjtë e Allegrit duhet të shfaqin nivelin e tyre më të mirë.

"Ndaj Juventusit është një finale për ne, ashtu siç do të jenë edhe dy sfidat e ardhshme të La Ligas ndaj Valencias dhe Espanyolit. Bardhezinjtë gjithmonë kanë qenë një skuadër kompetitive, ata mund të vënë në vështirësi cilindo kundërshtar pasi janë të shpejtë mbrapa dhe të gjithë futbollistët kanë një teknikë mbreslënëse. Për të fituar ndaj tyre duhet të shfaqim nivelin tonë më të mirë të mundshëm pasi në të kundërt diçka e tillë është pamundur. Unë kam shumë respekt dhe njëkohësisht shumë admirim për punën dhe për ato që ka arritur Juventusi në vitet e fundit", është shprehur Simeone.

Për sfidën ndaj Juventusit, Simeone konfirmoi si titullar portierin Miguel Angel Moya, ndërkohë që i pyetur se cili do të jetë partneri i Mandzukiç në sulm argjentinasi u përgjigj: "Të gjithë janë përgjigjur shumë mirë në ndeshjet e fundit por edhe në seancat stërvitore. Raul Jimenez, Griezmman, Raul Garcia por edhe Cerci. Cdokush prej këtyre futbollistëve mund të jetë partneri i Marios në sulm".

Në fund 44-vjeçari nga Buenos Aires shkëputi një mendim edhe për Carlito Tevez, njeriun simbol të Juventusit në këtë sezon.

"Tevez është një lojtar i jashtëzakonshëm. Sa më afër portës të jetë aq më shumë rrezik përcjell. Nuk duhet t’i lëmë atij hapësirat e nevojshme e as kontrollin e topit pasi mund të na ndëshkojë në çdo moment", përfundoi trajneri i Atletico Madrid. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2014, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori