Simeone: Përgjegjësi, jo presion para Realit
Diego Simeone këmbëngul se në skuadrën e tij nuk ka presion para çerekfinales së kthimit me Real Madrid në Champions League. Pas barazimit pa gola në takimin e parë, Simeone mendon se te Atletico Madrid ka vetëm përgjegjësi dhe kualifikimi në gjysmëfinale është detyrim.

"Nuk ka arsye pse të ndiejmë presion, në një kohë kur skuadra është kompetitive dhe luan mirë. Pres një ndeshje emocionuese, nga ato që janë të rralla në futboll. Për momentin fokusi im është te mënyra se si mund ta dëmtojmë Realin dhe nuk mendoj për mungesat e tyre si Modriç apo Bale. Intensiteti i takimit të parë dëshmoi se çfarë presim nga kundërshtari, që është një prej ekipeve më të fortë në botë", tha tekniku i "Los Colchoneros".

Ka disa dilema në rreshtimin që argjentinasi do të zbresë në "Santiago Bernabeu" kundër "Los Blancos" me Mandzukiç që mbetet në pikëpyetje.

"Në sesionin e fundit është stërvitur mirë, por gjendja e tij mbetet për t’u parë. Shpresojmë se do të jetë gati për të luajtur kundër Realit. Të gjithë lojtarët e mi në fakt duan të luajnë, kështu që nuk do të jetë e lehtë për mua të zgjedh. E kam një ide se kush do të luajë dhe ata do të jenë të parët që do ta marrin vesh", përfundoi Simeone. /albeu.com/
Shtuar më 22/04/2015, ora 09:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori