Ngacmohen seksualisht 3 futbollistë të Suedisë
Mund të tingëllojë e çuditshme, por mesa duket është e vërtetë. Tre futbollistë të Suedisë mund të konsiderohen viktimë të ngacmimeve me natyrë seksuale. Një gjë e tillë ka ndodhur që kur ka nisur aventura e tyre në kampionatin evropian që po zhvillohet aktualisht në Poloni dhe Ukrainë. Tobias Hisen, Joan Elmander dhe Emir Bajrami kanë marrë një sërë mesazhesh me përmbajtje që nuk mund të keqkuptohet.

"Bëhet fjalë për një ngacmim seksual, por unë jam përpjekur gjatë gjithë kohës që të mos kushtëzohem nga këto gjëra. Natyrisht që nëse do të më telefononin, ose më keq akoma, do më trokisnin në derë apo do më dërgonin letra, nuk do hezitoja aspak që të merrja masa më të rënda. Gjithsesi, për momentin më mjafton që të fshij mesazhet nga celulari dhe të mos shqetësohem për asgjë", u shpreh Hisen për Goal.com.

Ndryshe nga shoku i tij i skuadrës, Elmander ka preferuar të minimizojë situatën: "Disa njerëz më kanë përndjekur duke u ofruar që të martoheshin me mua. Por, duhet të mbajmë gjithnjë parasysh se bëhet fjalë për njerëz dhe, për të qenë i sinqertë, është e vështirë që të kuptosh se çfarë u kalon nëpër mend atyre. Megjithatë, unë jam përpjekur që t’u shpjegoj se kam një familje që më bën të lumtur".

Ndërkohë, Bajrami është vënë në dijeni të situatës nga disa miqtë e tij: "Ka patur disa femra në internet, të cilat kanë thënë se kanë pasur një flirt me mua. Kanë qenë disa miq të mi që më kanë treguar për këtë ngjarje. Unë përpiqem natyrisht që të mos ndikohem absolutisht nga këto gjëra por, për të qenë i sinqertë, kjo situatë më ka bezdisur. Shpresoj që të mbarojë me kaq dhe të mos kemi më të tilla probleme, sepse duhet të fokusohemi tek Evropiani, asgjë tjetër nuk duhet të na shpërqendrojë", ka përfunduar Emir Bajrami. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2012, ora 17:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori