Prandeli-spanjollëve: Jeni favoritë, por ne do të sulmojmë
Debutimi i Italisë në Europian kundër Spanjës së frikshme po troket. Hera e fundit, në një kompeticion ndërkombëtar, ka qenë pikërisht në Euro 2008 në çerekfinale: axurrët si kampionë bote, spanjollët e ardhur pas tri fitoresh në grupin e tyre.

U vendos nga penalltitë pas barazimit 0-0 në 120 minuta: Italia në shtëpi dhe Spanja në gjysmëfinale, që më pas do t’i jepte mundësinë të kurorëzohej mbretëreshë e Europës.

Sot, në Gdansk, Spanja e Italia përballen me role praktikisht të ndryshuara: skuadra e Del Boskes, gjatë kësaj kohe, është bërë kampione bote, Kasano me shokë duhet të fshijnë figurën e shëmtuar të bërë në Afrikën e Jugut.

Në mes është miqësorja e vitit të kaluar e fituar 2-1 nga axurrët, një sukses i parëndësishëm, pasi peshojnë më shumë tri humbjet radhazi të Italisë në miqësoret e fundit, përpara nisjes për në Poloni. Skuadra e Çezare Prandelit vjen në këtë kompeticion me entuziazmin e një grupi të rinovuar në krahasim me Botërorin 2010, dhe të vetëdijshëm për kapacitetin e tij. Por java që ka shoqëruar këtë pragndeshje ka qenë më se e zhurmshme, e karakterizuar nga skandali i basteve dhe nga tri humbjet radhazi, e fundit kundër Rusisë 3-0. Axurrët do të zbresin në fushë pa mbrojtësin Barzalji dhe do të duhet të shpresojnë të rikuperojnë Kielinin. Prandeli i beson sulmit të dyshes Baloteli e Kasano, por mbi të gjitha mbështetet tek entuziazmi i grupit, i cili dëshiron të demonstrojë përsosmërinë e futbollit italian. Premisat janë gjithsesi të komplikuara, për motivet e sipërpërmendura, dhe të përballesh me Spanjën nuk ndihmon, duke marrë në konsideratë që iberikët janë kampionë në fuqi të Europës e të botës, të cilët edhe në këtë edicion nisen si favoritë për fitimin e trofeut. Spanja do të duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa si Vija e Pujol, por mund të besojë te futbollistë që e njohin mirë njëri-tjetrin, te një grup i pasur me individualitete në mesfushë, që janë Ksavi, Iniesta e Fabregas. Tensioni është i lartë, por në konferencën për shtyp Çezare Prandeli dukej i qetë dhe i çlodhur. Të paktën në dukje. “Parandjenjat janë të mira, jemi stërvitur shumë, e kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë. Pesimizmi na shoqëron, por nuk na shqetëson: duhet ta mundim atë”, shton mister Prandeli. Më pas nuk kursen komplimentet për rivalët, pa dyshim Spanja është skuadra për t’u mundur, sepse ka pasur vazhdimësi rendimenti; përtej kundërshtarit, Spanja luan në të njëjtën mënyrë dhe nuk janë shumë skuadrat që mund t’ia lejojnë vetes. Ne kemi ndryshuar shumë që nga atëherë. Unë dua të shikoj skuadrën time të sulmojë gjithnjë me 5 lojtarë, nëse do të mbrohemi, do të bëjmë një gabim të madh”, përfundoi trajneri Çezare Prandeli.

Formacionet e mundshme:

ITALIA (3-5-2): Bufon; Bonuçi, De Rosi, Kielini; Maxho, Tiago Mota, Pirlo, Markizio, Xhakerini; Baloteli, Kasano. Tr: Prandeli

SPANJA: (4-2-3-1): Kasiljas; Arbeloa, Serxho Ramos, Pike, Jordi Alba; Buskets, Ksabi Alonso; Ksavi, Iniesta, Silva; Fernando Torres. Tr. Del Boske
Shtuar më 10/06/2012, ora 16:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori