Duka sqaron përse De Biasi futi në lojë Veselin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një lidhje direkte në “Proçes Euro 2016” në Top Channel, ka folur për humbjen e Kombëtares nga Franca dhe zëvendësimet që bëri De Biasi.

Ai është shprehur se zëvendësimet ishin të detyruara dhe jo teknike.

"Franca bëri zëvendësime 250 milionë euroshe, pra ata tre lojtarë që u futën kushtojnë aq. Në ekipit tonë nuk ka diferenca të mëdha mes atyre që janë në fushë dhe atyre jashtë fushe. Ajo që na solli këtu është kolektiviteti, kështu që përveç freskisë nuk mund të bënin ndonjë gjë tjetër. Pastaj ne bëmë zëvendësime të detyruara, Veseli për Ajetin dhe Xhaka për Kukelin u bënë për arsye dëmtimesh", deklaroi Duka.

De Biasi festoi 60-vjetorin në Perros-Guirec dhe Duka tregoi detaje nga festa në hotelin ku është akomoduar kombëtarja.

“Kemi bërë një festë familjare me futbollistë, stafin e zyrtarë të Federatës që janë në hotel. Kemi bërë një tortë me simbolin shqiptar, shqiponjën, dhe kemi kënduar këngën e zakonshme dhe i kemi uruar gjitha të mirat. Çunat i thanë trajnerit që donim t’i bënin dhuratë rezultatin e ndeshjes, por këtë nuk e arritëm dot dhe urojmë që të kemi kënaqur me lojën, por të bëjmë një dhuratë në ndeshjen ndaj Rumanisë”, tregoi Duka.

Kombëtarja shqiptare ende nuk ka arritur fitoren e parë në Europian, por Duka flet për një tjetër fitore të madhe të shqiptarëve në Francë.

“Besoj se paraqitja e ekipit dhe gjithçka shqiptare në Francë është për t’u krenuar. Kemi treguar që dimë të luajmë futboll, i kemi treguar me tifozët ne Lens dhe Marsejë se e duam futbollin dhe i gjithë shtypi botëror për të gjithë pjesën shqiptare flet me superlativa dhe unë e konsideroj si një fitore”, tha ai. /albeu.com/


Shtuar më 17/06/2016, ora 01:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori