Benfica dhe Chelsea në finalen e Europa League (VIDEO)
Benfica dhe Chelsea kanë arritur të kualifikohen në finalen e Europa League pasi sonte eliminuan Fenerbahçen, respektivisht Baselin.

Chelsea në Londër arriti të mposhtë Baselin zviceran me rezultatin 3:1 dhe me dy fitore (në ndeshjen e parë në Basel ishte 2:1 për Chelsean) siguroi biletën për finale. Chelsea sezonin e kaluar fitoi Ligën e Kampionëve, madje pas fitores në Munchen kundër Bayernit.

Në ndeshjen kundër Baselit, zviceranët avancuan të parët me golin e Salah në minutën e 45-të. Por, skuadra e Benitezit u ringjall në pjesën e dytë dhe shënoi tre gola. Së pari në listën e golashënuesve u regjistrua Fernando Torres në minutën e 50-të, kurse vetëm dy minuta më vonë shënoi Moses. Braziliani Luiz ishte shënuesi i golit të tretë dhe për rezultatin përfundimtar 3:1.

Shumë më i paqartë ishte epilogu i ndeshjes që u zhvillua në Lisbonë, ndërmjet Benficas dhe Fenerbahçes, pasi në takimin e para një jave në Stamboll ekipi turk pati fituar me rezultatin 1:0.

Mirëpo, portugezët nuk lejuan befasi dhe me lojë agresive arritën të mposhtin Fenerin turk me rezultatin 3:1. Të partë shënuan portugezët me anë të N. Gaitan, në minutën e 9-të, kurse për futbollistët e Stambollit u rritën shpresat për finale pas realizimit të penalltisë nga Dirk Kuyt në minutën e 23-të. Por portugezët nuk lejuan befasi dhe me dy gola të Oscar Cardozo ia dolën të plasohen në finale.
Shtuar më 02/05/2013, ora 23:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori