Daja: Nuk ka kohë për pushim, Dinamo na vëzhgoi na presin
Pëlqej
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u shpreh i kënaqur me arritjen e fitores ndaj Flamurtarit dhe bëri me dije se skuadra e tij nuk është aspak euforike. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai tha gjithashtu se vëzhguesve të Dinamos së Kievit nuk do u hyjnë në punë shënimet e mbajtura sot pasi në Ukrainë korçarët do të jenë një skuadër ndryshe.

Për fitoren

“E filluam mirë sepse primare për ne është fitimi i titullit kampion. Sot kishim një kundërshtar që për mendimin tim bëri gjithçka mirë, sidomos gjysmën e pjesës së parë na vuri në vështirësi. Edhe ne bëmë mirë, kishim raste, por jo shume mirë, përveç rezultatit. Jemi me këmbë në tokë sepse e dimë që mes paraqitjes së mirë në kampionat shkohet në Europë. S’kemi pse të jemi euforikë sepse e arritëm objektivin në Europë dhe tani kemi grupet para.

Kishim pak probleme në ekuilibër sepse mungesa e Osmanit, futja e Gavazajt jo në formë të mirë fizike, ndryshimi i formës së manovrës që nuk po na funksiononte, ndikuan në lojën tonë. Në momentin që kaluam të luanim si vjet dhe si në Europë, filluam ta balancojmë lojën dhe kishim raste të shënonim. Gjithashtu nuk i lamë situata kundërshtarit në pjesën e dytë.”

Për vështirësinë e ndërtimit të sulmit

“Gjatë momentit që bënim manovër sulmuese nuk kishim shkallëzimin e duhur, por kjo erdhi për shkak të modulit të lojës të cilin pak e kemi përdorur dhe do kohë që të përshtatemi. Nuk jemi euforikë, ka entuziazëm, por ai nivel entuziazmi që jemi me këmbë në tokë,raporton Panorama. Kishim probleme në ndërtimin e sulmit dhe momente nervozizmi që nuk duhet ta shprehim me eksperiencën që kanë lojtarët sepse prishen ekuilibrat. Kjo u vu re sepse në ato situata i dhamë mundësi Flamurtarit të na rrezikonte.”

Për vëzhguesit e Dinamos së Kievit që mbajtën shënime sot

“Nuk ka lidhje ndeshja sot me atë që do bëjmë në Kiev. Sot duhet të fitonim me patjetër, përballë kishim një Flamurtar që nuk e njihnim. Nuk do bëjmë asnjë ditë pushim sepse nesër fillojmë përgatitjet për ndeshjen ndaj Dinamos. Edhe pse vëzhguesit e kundërshtarit kanë mbajtur shënime sot, nuk do jetë e njëjta gjë në Kiev, nuk do të ketë ngjashmëri as në vendosje as në manovër.” /albeu.com/

Shtuar më 10/09/2017, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori