Kukësi, ëndrra kalon nga Sarajeva
Historia evropiane e Kukësit kalon nga Sarajeva, aty ku nënkampionët e vendit janë me misionin për të ruajtur avantazhin e krijuar nga ndeshja e parë në "Qemal Stafa". Surpriza më e këndshme e futbollit shqiptar në sezonin e kaluar ka mundësinë të mbajë gjallë ëndrrën, kualifikimin në turin e tretë të Europa League, për të përsëritur suksesin unik të Flamurtarit të viteve '80.

Fitorja 3-2 një javë më parë lë gjithçka të hapur, por mund të japë optimizëm dhe qetësi në prag të një sfidë të nxehtë siç është ajo në Sarajevë ndaj skuadrës me të njëjtin emër.
Nënkampionët e vendit do të jenë të vetëm në një ambient të nxehtë, pa përkrahjen e tifozëve në një stadium që të fut frikën nga mbështetja që i jep publiku vendas ekipit të vetë.

Megjithatë gjithçka është marrë parasysh dhe pavarësisht se Kukësi është një skuadër debutuese në Europë, shumica e futbolistëve kanë provuar disa herë aventurën në kompeticionet evropiane. Trajneri Armando Cungu do të bëjë vetëm një ndryshim në krahasim me ndeshjen e parë, pasi rikthehet kapiteni Hallaçi, i cili mund të zërë vendin e tij në të majtë të mbrojtes. Argjentinasi Malacarne do të spostohet në qendër duke lënë jashtë formacioni Malotën. Gjithashtu pritet të ndryshojë edhe rreshtimi i skuadrës, pasi Kukësi mund të luajë me një 4-2-3-1, ku përpara mbrojtjes në krah të Karabecit do të vendoset Alikaj. Ndërkohë në sulm nuk ndryshon asgjë me Popoviç që do të mbështetet nga Progni, Allmuça dhe Hoxha. /albeu.com/
Shtuar më 25/07/2013, ora 15:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori