Montela ha presionin e tifozëve, aktivizon blerjet e reja
Pëlqej
“Ernst Happel Stadion” për Austria e Vjenës-Milan, ndeshja e parë e Ligës së Europës për këtë sezon, do të ketë prezentë 30-35 mijë tifozë kuqezi, sepse pritshmëria për Milanin e ri është e madhe.

Montela… më shumë nga të gjithë: “Shoh një skuadër që dëshiron të tregojë menjëherë sesa vlen, pres një tjetër qëndrim, në të kundërt nga Lacio-Milan. Ishte një humbje e shëmtuar, duhet ta lëmë veç dhe të shohim përpara. Pres një përgjigje të menjëhershme nga skuadra, pavarësisht cilësisë së lojës apo fitores. Nuk duhet të jemi ata të ditës së diel”.

“KUJDES NGA AUSTRIAKËT!” – Montela, gjithmonë tifoz i Milanit, ka treguar se çfarë përfaqësoi për të Vjena dhe finalet e viteve 1990 dhe 1995: “Në 1990-ën isha te Empoli, në një restorant, me kompletin e bardhë të Milanit. Ende e kujtoj. Ndërsa në 1995- ën jo, e them me sinqeritet atëherë e kisha hequr”.

Tashmë është trajner, duhet të mendojë për ambiciet dhe kritikat: “Objektivi i parë është të kalojmë fazën, mundësisht si kokë grupi, më pas mund të mendojmë për të tjerat, raporton Panorama. Austria e Vjenës është e nënvlerësuar, por janë një skuadër shumë aktive, lojtarët ndërrojnë shpesh rol gjatë harkut të ndeshjes.

Është e vështirë të luash në mbrojtje kundër tyre. Kritikat? Janë më se normale, lëvdatat ndoshta ishin të tepërta, po ashtu ndoshta edhe kritikat, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Është e drejtë kështu, janë gjëra që herët apo vonë duhet të ndodhin”.

Teksa foli për mbrojtjen me tre ai tha: Në rolin e mbrojtësit të djathtë, sot do të jetë Abate. Për nga karakteristikat, ai pozicion është i ndërtuar për të nxjerrë në pah vlerat e Kontit. Andrea, megjithatë, përjetoi një moment historik nëntë ditë më parë: debutoi me Italinë kundër Izraelit dhe në të njëjtën ndeshje doli i dëmtuar nga fusha e lojës.

Shqetësimi në kavilje i mohoi të zbriste në fushë kundër Lacios në ndeshjen e fundjavës, gjithashtu e ka lënë jashtë edhe kundër Austrisë së Vjenës dhe nuk është ende e thënë që do të jetë i gatshëm për të dielën, kur në “San Siro” do vijë si mik Udineze. Konti mbetet pra i padisponueshëm, por ndërkaq kthehet një titullar:

Romanoli do jetë sërish në dispozicion të Montelës, jashtë fushave që prej transfertës në Maqedoni kundër Shkëndijës, precedenti i vetëm i sezonit ku trajneri kuqezi përdori modulin me tre në mbrojtje. Bashkë me të, repartin do e plotësojnë Bonuçi dhe njëri mes Muzakios e Zapatës (ky i fundit favorit). Në krahun e majtë do të vendoset Antoneli, Rodriguez qëndron në shtëpi.

MESFUSHA PRET SURPRIZA- Në mesfushë rikthehet gjithashtu një tjetër i rikuperuar, Bonaventura, i cili u aktivizua për më shumë se një orë edhe ndaj Lacios. Megjithatë, priten surpriza.

Në balotazh me “Xhek”, në momentet e fundit, është dhënë edhe Hakan Çalhanoglu, për të plotësuar mesfushën me pesë, duke parë se turku pëlqen të avancojë në sulm dhe të luajë në qendër. Thuajse e sigurt fanella si titullar për Frenk Kesin (i cili nuk ka momentalisht shokë reparti me të njëjtat karakteristika) dhe Lukas Biljan, që po gjen formën optimale.

BALOTAZH PËR SULMIN – Zgjedhja taktike e Montelës varet nga vendimet që do të merren në sulm. Në sulm, tre alternativa do të luftojnë për dy vende titullari dhe gara për fanellën duket tejet interesante: nisen në të njëjtin nivel Silva, Kaliniç dhe Suso, ky i fundit i provuar si sulmues i dytë. Ky është “çelësi”.

Me spanjollin në fushë, moduli 3-5-2 do të kalonte në një 3-4-2-1, me spanjollin në dyshe me Çalhanoglun pas krahëve të Kaliniçit, ose në 3-4-3, ku të dy do të pozicionoheshin në krah të “pykës” kroate, raporton Panorama. Në stërvitjen e fundit ka qenë i pranishëm edhe administratori i deleguar, Fasone, i cili ka ndjekur seancën stërvitore.
Shtuar më 14/09/2017, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori