Shqipëria protagoniste në Europa League, Agolli: Interi, një ëndërr!
Pëlqej
Dje në Monte Carlo është hedhur edhe shorti i Europa League, pas atij të Champions League ditën e enjte që zbardhi 8 grupet. Për “kupën e vogël” të kontinentit grupet janë 12 dhe mes tyre ka më shumë shqiptarë se çdo herë tjetër. Në Grupin A është vendosur Apollon Limasoli i portierit Isli Hidi, i cili do ta gjejë veten përballë Armando Sadikut e Burim Kukelit të Zyrihut, edhe pse këta për momentin janë të dëmtuar. Në këtë grup do të jetë protagonist edhe Granit Xhaka, kosovari i natyralizuar zviceran, i cili vesh bluzën e Borussia Munchengladbahut.

Grupin B, Migjen Basha i Torinos do të tentojë së bashku me shokët e tij të mundë Kopenhagenin, Club Brugge-n dhe Helsinkin. Në Grupin E ka gjithashtu gjak shqiptar, por që kanë zgjedhur përfaqësuese tjetër, si Valmir Berisha e Emir Bajrami që luajnë për Panathinaikosin.

Por, sfida më e bukur do të jetë ajo në Grupin F, ku Karabaku i Ansi Agollit dhe Admir Telit do të luajnë përballë Interit, Dnipros dhe St.Etiennit. PAOK-u i Ergys Kaçes dhe Kristi Qoses në Grupin K do të kenë përballë Fiorentinën, Guingampin dhe Dinamon e Minskut. Me pak fjalë, ky kompeticion është i gjithi për t’u shijuar sivjet për sportdashësit shqiptarë.

Emocionet e Agollit - Ndër më të lumturit për shortin e djeshëm nuk ka sesi të mos jetë mesfushori Ansi Agolli. 31- vjeçari i Kombëtares së Shqipërisë ka arritur të sigurojë së bashku me klubin azerbajxhanas fazën e grupeve, një objektiv që kishin 4 vite që e ndiqnin, siç pranon vetë mesfushori. “Kualifikimi për në fazën e grupeve ishte diçka fantastike. Një objektiv të tillë kishim të paktën vite që e ndiqnim, por tashmë që e kemi bërë realitet, kemi bërë të lumtur jo vetëm drejtuesit e klubit, por edhe të gjithë popullin e azerbajxhanit. Pas disa tentativash radhazi që nuk na lejuan të shkojmë më larg se sa Play Off-et, kundër Tuentes luajtëm ndeshjen perfekte dhe kemi plotësuar një ëndërr të madhe. Pasimi për gol? Ishte gjithçka perfekte, e ndieja që do të shënonim, e meritonim të shënonim dhe jam i lumtur që edhe unë dhashë kontributin tim për të mirën e ekipit", u shpreh Agolli.

Në grup kundër Interit? "Kjo është një tjetër dhuratë që i kemi bërë vetes, sepse gjatë fazës në grupe do të gjejmë një nivel edhe më të lartë se sa holandezët e Tuentes. Ne, surpriza e grupit? Jo, nuk e di, thjesht do të bëjmë të pamundurën që të paraqitemi sa më mirë. Të luash kundër Interit, në "San Siro", por edhe në Azerbajxhan përpara tifozëve tanë, do të jetë njësoj sikur të kemi fituar. Klubi dhe drejtuesit tanë janë të ekzaltuar nga ky kualifikim, aq sa pas këtij suksesi historik të gjithë ne presim edhe një premio të majme", përfundoi me një batutë futbollisti i kombëtares. /albeu.com/

Shtuar më 30/08/2014, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori