"A të qaj 5 minuta", presidenti i Kukësit bëhet "meme" (FOTO LAJM)

Kukësi e sheh veten 8 pikë larg kreut. Presidenti Safet Gjici me batutat e tij mediatike duket se nuk ka rezultuar i saktë parashikime, sepse Partizanin nuk po e lënë gjunjët… E kundërta ka ndodhur. Të tijtë janë mundur ditën e djeshme nga Tirana, duke e “minuar” jo pak arritjen e objektivit madhor, titullin kampion.

Titull të cilin, referuar edhe merkatos së dimrit, duket se Gjici e do me çdo kusht, ndoshta edhe si një “bonus” për zgjedhjet vendore të qershorit, ku do të kandidojë për kryebashkiak të Kukësit. Pa “tam-tame”, të kuqtë e Skënder Gegës po i japin leksione nga java në javë, ndërkohë që makthi që e shoqëron gjithmonë në garat politike, teksa del përherë i dyti, e ka përfshirë sërish presidentin e verilindorëve.

Gjithçka lexohej qartë në mimikën e tij, gjatë dhe në fund të ndeshjes me bardheblutë. Një pikëllim i thellë, që i ka lumturuar pa masë tifozët rivalë të Kukësit, sidomos ata të Partizanit. Duke iu referuar batutës së Gjicit, se “demat” do t’i lënë gjunjët, ka shpërthyer beteja me “meme”, që kanë si personazh presidentin e Kukësit.

Paralelizmi ka qenë i goditur dhe aktual. Duke iu referuar një videoje, që u bë virale ditët e fundit, teksa Rea, një vajzë e vogël, i kërkon leje mamasë për të qarë për 5 minuta, ndërsa shikon filimin e saj të animuar, në këtë pozicion e kanë vënë edhe Gjicin, shkruan Telesport. Pra, ky i fundit duket sikur kërkon të “çlirohet me lot hidhërimi”, mbas humbjes me Tiranën, në versionin: A të qaj 5 minuta?

Në po të njëjtën foto, tifozë të tjerë kanë shkuar më tej, duke luajtur me “tullacllëkun” e Gjicit, i cili duke tymosur cigare nga mërzia e humbjes, duket sikur thotë: Më jepni një krëhër… A thua se “tullacllëku” u shndërrua në "flokët kaçurrela" nga nervat e dështimit të skuadrës së tij.

Sikurse duket, beteja virtuale me “meme” ka nisur në Superiore, sidomos në mes të Partizanit dhe Kukësit, dy kryesuesve të renditjes aktuale.
Shtuar më 11/02/2019, ora 09:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori