Bayern Munchen, ja pse qau Hoeness (FOTO LAJM)

Me Bayern Munchen deri në vdekje. Presidenti Uli Hoeness shpreh publikisht dashurinë për ekipin bavarez duke u betuar se do t’i shërbejë shoqërisë dhe ekipit deri në ditën e fundit të jetës së tij, pavarësisht problemeve private që lidhen me evazionin fiskal. Ish lojtari i kombëtares së Gjermanisë akuzohet për devijim të detyrimeve fiskale ndaj shtetit gjerman, por ai qetëson tifozët, duke u shprehur se kjo çështje nuk do ta pengojë aspak në punën që po bën me shoqërinë.

“Do t’i shërbej klubit derisa të marr frymë por për këtë më duhet një mandat i qartë nga ju. Nuk e kam marrë asnjëherë në konsideratë hipotezën e largimit sepse klubi nuk ma ka kërkuar asnjëherë. Gjëja më e rëndësishme për mua është shoqëria dhe jo gazetat ekonomike. Gjithsesi, drejtuesit janë ata që kanë në dorë votën dhe unë jam këtu për të kërkuar që ata të më japin kompetenca të plota për të vijuar punën”, u shpreh ai.

Fjala e tij Hoeness ua adresoi anëtarëve të asamblesë gjatë mbledhjes së përvitshme të bordit drejtues ku ishte i pranishëm edhe administratori i deleguar Karl-Heinz Rummenigge. Kaizeri nuk e kurseu mbështetjen kundrejt presidentit dhe kjo situatë shkaktoi reagimin e Hoeness.

“Jam shumë i prekur jo vetëm për mbështetjen e Rummenniges por edhe atë të anëtarëve të bordit drejtues. Në fjalën time dua të nënvizoj edhe disa fakte. Asnjëherë nuk kam fshehur të dhënat financiare për të evituar pagesën e taksave. Unë personalisht kam paguar miliona euro gjatë viteve të fundit në formë taksash për shtetin. Kam dhuruar rreth 5 milionë Euro gjatë 5 viteve të fundit, madje kam dhuruar çdo fitim nga të ardhurat e ndeshjes për 60 vjetorin tim të lindjes. Gjithsesi nuk jam këtu për të justifikuar fajin tim sepse e pranoj që edhe unë kam bërë gabimet e mia", perfundoi Hoeness. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2013, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori