Ish-mjeku i Maradonës akuzon klinikën ku argjentinasi u operua së fundi
Alfredo Cahe, ish-mjeku personal i Diego Maradonës, kritikoi hapur vendimet e fundit të marra për shëndetin e ish-futbollistit, duke argumentuar se kampioni "nuk u trajtua siç duhej".

"Jo vetëm që Diego duhej të qëndronte në klinikë (ku ishte operuar), por në një zonë të specializuar gjerësisht, me një infrastrukturë tjetër nga sa kishte në shtëpinë ku vdiq, e ngjashme me çfarë kishte në dispozicion kur e çuam në Kubë".

Në të kaluarën, Cahe kaloi momente shumë të vështira pranë Maradonës, kur vuante dhe ishte në krizë fizike.

"Në dhomën e tij, një mjek duhet të kishte qenë gjithmonë i pranishëm, por ky nuk ishte rasti, deri në pikën që, për mendimin e tij, vdekja ndodhi në një mënyrë të pazakontë".

Po kështu, avokati i "10", Matias Morla, akuzon personelin shëndetësor, që "nuk u kujdes siç duhet për Maradonën. Madje, ambulanca mbërriti me gjysmë orë vonesë pas njoftimit se legjenda argjentinase kishte pësuar arrest kardiak.

"Është e pashpjegueshme që për 12 orë, Diego nuk mori vëmendje nga personeli shëndetësor.

Ambulancës iu desh gjysmë ore për të mbërritur, çka ishte një IDIOTËSI KRIMINALE. Unë do të kërkoj që të hetohet deri në fund".

Ndërkohë, e dashura e fundit e Maradonës ka shpërthyer.

"Nuk e di pse më bëjnë këtë, unë isha partnerja e tij e fundit, thjesht doja t’i thoja lamtumirë Diegos". Fjala është për Rocio Oliva, e cila u shpreh kështu në lot, pasi u la jashtë "Casa Rosada", ku po kryhen homazhet e fundit për Maradonën. Sipas raporteve nga "Clarin", ajo ishte duke pritur për autorizimin e Claudia Villafane, ish-gruas së Maradonës, e cila u pa të hynte në pallatin presidencial me vajzat e saj, Dalma dhe Gianinna.

Oliva ishte me futbollistin për gjashtë vjet dhe u ndanë më 2018.

"Ata më thanë që të kthehesha në orën 7 me gjithë të tjerët, shtoi për mediat në lot, jashtë "Casa Rosada". Sqarimet që më dhanë ishin se Claudia nuk dëshiron që unë të hyj brenda".
Shtuar më 26/11/2020, ora 14:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori