Konfirmohet dëmtimi i Busquets, ky pritet të jetë formacioni i katalanasve ndaj Atleticos (FOTO LAJM)

Mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets, i cili pësoi një dëmtim në gju të shtunën e kaluar në barazimin 1-1 mes Zvicrës dhe Spanjës në Nations League (problem që e pengoi të ishte pjesë e "La Rojas" në fitoren e thellë 6-0 me Gjermaninë), u është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore edhe te Barcelona. Klubi "blaugrana" ka konfirmuar se 32-vjeçari ka përdredhur ligamentin e jashtëm të gjurit të majtë, e për rrjedhojë do të qëndrojë jashtë për të paktë një periudhë dyjavore.

Stafi mjekësor i përfaqësueses së Spanjës e përshkroi dëmtimin si "të lehtë", por ky përcaktimin nuk dallohet në njoftimin e Barçës, ku nuk tregohet as koha që do t’i duhet futbollistit për t’u kthyer në fushë i shëruar plotësisht.

Gjithsesi, është e sigurt mungesa e Busquets në ndeshjen me Atleticon e Madridit në “Wanda Metropolitano” e me shumë mundësi edhe në takimin e Championsit në transfertë me Dinamon e Kievit më 24 nëntor. Jo zyrtarisht flitet se Busquets do të qëndrojë minimumi 10 ditë në infermieri.

Miralem Pjanic, nëse nuk pëson ndonjë dëmtim në Bosnjë-Itali, këtë të mërkurë, do të jetë zëvendësuesi i tij para mbrojtjes krah holandezit Frenkie de Jong (gjithashtu do të jetë në fushë në sfidën e Holandës në transfertë me Poloninë).

Trajner i Barcelonës, Ronald Koeman, përveçse mesfushorin boshnjak, pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen përballë "Los Colchoneros" Ousmane Dembelenë, me Griezmannin si sulmues të parë, ndërsa në të majtë, në mungesë të Ansu Fatit, do të luajë një mes Coutinhos dhe Pedrit.
Shtuar më 18/11/2020, ora 14:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori