Ky është Galliani: 10 afrime dhe 19 milionë euro fitim (FOTO LAJM)

Diego Lopez
Pëlqej
Adriano Galliani konfirmohet sërish si një nga "mjeshtërit" më të mëdhenj të merkatos. Administratori i Deleguar i Milanit nuk ka zhgënjyer edhe një herë duke përdorur teknikat e tij dhe raportet e mira që ka me homologët, për t’i ndërtuar trajnerit të ri, Filippo Inzaghi, një organikë sa më kompetitive.

Numri dy i kuqezinjëve, një prej më veteranëve në futbollin italian, shquhet për transferimet e goditura dhe për më tepër ato me pak kosto. Ai i është përshtatur gjithmonë politikave të klubit duke bërë më të mirën në çdo rast.

Në epokën e artë berluskoniane të viteve ’90, kur presidenti i Milanit kishte oreksin dhe dëshirën për të shpenzuar, Galiani solli në Milano disa prej legjendave të futbollit botëror: Van Basten, Gullit, Rijkaard, Weah, Shevchenko, Inzaghi dhe shumë të tjerë, duke krijuar një skuadër elitare që la gjurmë në futbollin italian dhe në atë botëror për vite me radhë.

Por edhe kur fondet ishin të reduktuara, Galiani arriti të përshtatej duke futur edhe modën e parametrave zero. Kjo tendencë u ndoq me përpikëri edhe gjatë merkatos të kësaj vere, ku Milani është përforcuar me plot 10 lojtarë, duke shpenzuar vetëm 8.5 milionë euro.

Kujtojmë se në 50 ditët e fundit, derën e "Milanellos" e kanë kaluar: Diego Lopez, Michael Agazzi, Michelangelo Albertazzi, Alex, Adil Rami, Pablo Armero, Marko Van Ginkel, Jeremy Menez, Fernando Torres dhe Giacomo Bonaventura.

Dukete çuditshme që Milani, edhe pse ka afruar në organikë pothuajse një formacion të plotë, në të njëjtën kohë del me një bilanc pozitiv nga merkato. Kuqezinjtë sot regjistrojnë 19.5 milionë euro plus. Kjo shumë është arkëtuar nga shitja e Mario Balotellit (20 milionë euro), Bryan Cristanten (6 milionë euro) dhe Kevin Constant (1 milion euro). Ndërsa kuqezinjtë kanë shpenzuar vetëm 3.5 milionë për blerjen e kartonit të Adil Rami dhe 5 milionë për atë të Giacomo Bonaventuras, pasi për Lopez, Agazzi, Albertazzi, Alex, Armero, Van Ginkel, Menez dhe Torres, "Djalli" nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë duke i afruar lojtarët me parametra zero në ekip ose në huazim. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2014, ora 14:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori