Lojtari dhe trajneri i Vitit në Gjermani (FOTO LAJM)

Manuel Neuer - Bayern Munchen
Pëlqej
Portier i kampionëve të Gjermanisë dhe njëkohësisht kampion bote pas triumfit të pancerave në Brazil. Zakonisht për një lojtar si Manuel Neuer, detyra është ta mbajë portën të mbyllur, por kur të mirat vijnë, atëherë porta duhet hapur pa kushte dhe pa hezitim. Për të dytën herë në një karrierë briliante, gardiani i Bayern Munchen është kurorëzuar si futbollisti i vitit në Gjermani, një çmim mjaft prestigjioz që jepet nga Gazetarët Sportivë të Gjermanisë.

28-vjeçari shkëlqeu në Brazil me kombëtaren, ku veç Kupës së Botës, mori tërësisht për vete edhe çmimin e portierit më të mirë të turneut, për ta mbushur kështu plot e përplot vitrinën e trofeve.

Në garën me yjet e futbollit gjerman, Manuel Neuer siguroi 144 vota nga 701 në total, duke lënë pas me vetëm 9 vota, talentin e Dortmundit, Marco Reus. Në një 5-she me dominim thuajse absolut bavarez, në vijim renditen Thomas Muller, Arjen Robben dhe Philipp Lahm.

Edhe në kategorinë e trajnerëve, fituesi është i pakontestueshëm dhe çmimi shkon për njeriun që udhëhoqi gjermanët drejt majës më të lartë të botës. Pra është Joachim Low me 248 vota, trajneri i vitit në Gjermani, duke lënë pas Markus Weinzierl, i cili do të mbahet mend si trajneri që i dha fitoren e parë Ausburgut ndaj Bayernit që prej 6 Gushtit 1961.

Vendin e tretë të podiumit e plotëson tekniku spanjoll i bavarezëve, Pep Guardiola, i ndjekur nga trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, që është shpallur më i miri për dy vite radhazi në 2011-ën dhe 2012-ën. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 14:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori