Navas prezantohet në Bernabeu: Hala Madrid! (FOTO LAJM)

Pëlqej
I kishin rezervuar një pritje të denjë për një super star dhe më në fund ja ku u shfaq. Shtatlarti Keylor Navas u prezantua zyrtarisht në Santiago Bernabeu, në shtëpinë e tij të re që do ta strehojë për 6 sezonet e ardhshme. Për të mbërritur deri këtu, kostarikani kaloi disa orë intensive, i ndjekur hap pas hapi nga tifozeria madrilene. Pas formalitetit të kontrollit mjekësor, skena në mitikun Bernabeu ishte e tëra për blerjen e tretë e të madhe të Realit në këtë merkato, pas mbërritjes së Toni Kroos e James Rodriguez, të cilët po ashtu shkëlqyen në Botërorin e Brazilit.

Siç e do zakoni, presidenti Florentino Perez mori i pari mikrofonin për t’i uruar mirëseardhjen gardianit më të ri nga Kosta Rika.

"Besojmë se duhet të vazhdojmë të rritemi, prandaj punojmë çdo ditë për të sjellë lojtarë të rinj. Po ju prezantojmë një nga portierët më të mirë në botë, i cili kishte oferta nga disa prej klubeve më të mëdha, por dëshira e tij ishte të vinte këtu2, tha presidenti i Real Madrid.

Pasi i uroi fat në këtë aventurë të re, Perez e cilësoi mbërritjen e Navas, si një nga transferimet më të rëndësishme në karrierën e tij profesionale.

Pas tij, mes emocionesh të shumta, fjalën e mori gardiani i ri i "Los Blancos", i cili tregoi se i ka mjaft të qarta idetë.

"Dua të falenderoj Zotin që më dha mundësinë e realizimit të kësaj ëndrre. Kjo është dita më e rëndësishme për mua. Falenderoj gjithashtu Realin e Madridit dhe Kosta Rikën. Jam i lumtur sepse tashmë ndodhem në klubin më të madh në botë", tha Navas.

Do të jetë fanella me numër 13, ajo që do të identifikojë Keylor Navas te Reali. Para se të zbriste në fushë për pjesën tjetër të prezantimit, kostarikani nënvizoi në fund se do të japë maksimumin për madrilenët, si në lojë, ashtu dhe në stërvitje. /albeu.com/
Shtuar më 05/08/2014, ora 15:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori