Nga Brazil në "Made in Italy", ja evolucioni i Milan (FOTO LAJM)

Roque Junior
Milan dhe Brazili kanë pasur gjithmonë një lidhje shumë të fortë, sidomos gjatë 10-vjeçarit të fundit. Faktikisht kanë qenë të shumtë brazilianët që kanë veshur fanellën kuqezi, duke e shndërruar kështu "Milanellon" në një koloni të tyren. Për shembull, gjatë sezonit 2007-2008, në formacionin kuqezi bënin pjesë tetë lojtarë brazilianë si: Dida, Cafu, Emesron, Pato, Kaka, Serginho, Ronaldo, Ronaldinho etj.

Klubi kuqezi, por në veçanti presidenti Silvio Berlusconi, e ka admiruar së tepërmi klasin dhe harmoninë që sjellin në skuadër futbollistët brazilianë, virtyte që, kur shkrihen në ekip, dhurojnë spektakël në stadium. Por, me kalimin e viteve, kjo lidhje duket se nuk është më aq e fortë si më parë, aq sa gjatë sezoneve të fundit prezenca e lojtarëve brazilianë në "Milanello" është ulur ndjeshëm. Motivet janë të ndryshme, por në veçanti rritja e kostos së transferimit të tyre nga Brazili në Itali.

Aktualisht në kampin kuqezi bëjnë pjesë vetëm dy futbollistë brazilianë, sulmuesi Robinho dhe portieri Gabriel, por e ardhmja e tyre është shumë e dyshimtë dhe nuk është e thënë që ata do vazhdojnë t’i veshin ngjyrat kuqezi edhe sezonin që vjen.

Nëse numri i brazilianëve po zvogëlohet gjithmonë e më shumë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për italianët. Sepse, klubi i rrugës "Turati" duket se e ka bazuar politikën e vet tek angazhimi i lojtarëve italianë si El Shaarawy, Balotelli, Montolivo, De Sciglio dhe Abate. Mirëpo, përveç atyre që tashmë bëjnë pjesë në organikën e klubit kuqezi, Milani po interesohet edhe për disa futbollistë të tjerë italianë, si për shembull, Saponara (bashkëpronësinë e të cilit Milani tani e ka futur në xhep), Ogbonna, Astori, Reggini, Verratti, Cerci, Zaza dhe Matri e shumë të tjerë .

Mesa, duket klubi i "Djallit" ka vendosur të ndryshojë lëkurë dhe, në vend të talenteve braziliane, preferon ata që prodhohen në shtëpi, pra "Made in Italy". /albeu.com/


Shtuar më 29/05/2013, ora 16:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori