Një mace dhe një pemë, ja maskotat e "Rio 2016" (FOTO LAJM)

Maskotët e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2016 në Rio de Janeiro u shfaqën për herë të parë në publik nga komiteti organizator i olimpiadës së ardhshme. Pasi i shfaqën fillimisht vetëm një ditë më parë në televizionin shtetëror drejtuesit e "Rio 2016" vendosën t’i bëjnë më të prekshëm maskotët e ardhshëm, sigurisht për të familjarizuar akoma më shumë publikun e gjerë me alternativat e përzgjedhura. Në një komunikatë për shtyp organizatorët bënë të ditur se maskotët e përzgjedhur simbolizojnë florën dhe faunën e këtij vendi.


Maskoti i Lojërave Olimpike sipas tyre është një kafshë me ngjyrë të verdhë që përfaqëson gjithë kafshët e Brazilit, ndërsa Maskoti i Lojërave Paralimpike është me ngjyrë blu dhe përfaqëson një përzierje unike të florës së këtij shteti.

Tashmë ka nisur dhe votimi popullor për të vendosur emrat përfundimtarë dhe organizatorët pasi i seleksionuan të gjitha alternativat e deritanishme përzgjodhën nga tre emra për secilin maskot.

Të gjithë kanë mundësinë për t’u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke votuar në adresën zyrtare të Lojërave të Rios.

Opsionet për Maskotin e Lojërave Olimpike janë "Oba", "Tiba Tuque" dhe “Vinicius”, ndërsa tre emrat e preferuar për Lojërat Paralimpike janë "Eba", "Esquindim" dhe "Tom".
Shtuar më 25/11/2014, ora 10:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori