Prezantimi i Inzaghit, festë në "Casa Milan" (FOTO LAJM)

Djali thuajse i ndrojtur që zbarkoi në Milano në 2001 nuk është më. Pippo Inzaghi mori skenën në "Casa Milan", edhe pse prezenca e rëndë përkrahë tij e Adriano Gallianit dhe Barbara Berlusconit rrezikonte ta linte në hije. Pas fjalës së Gallianit, i cili i bëri të ditur që në fillim se Milani duhet të kthehet sërish i madh dhe sigurimi i pjesëmarrjes në Champions League është një obligim për sezonin e ardhshëm, duke premtuar dhe afrimin e një emri të madh në merkato, ishte Inzaghi ai që u imponua me fjalët e tij të debutimit si trajner.

"E nisa këtë profesion dy vjet më parë, duke shpresuar me zemër që një ditë të drejtoj Milanin. Ndoshta është harruar se çfarë është Milani, është klubi më i titulluar në Botë dhe unë jam trajneri i tij. Do jap gjithçka nga vetja dhe uroj të jem në lartësinë e duhur", tha ish sulmuesi kuqezi.

Inzaghi dëshiron një Milan sulmues në mënyrë që kundërshtarët të kenë frikë kur zbarkojnë në “San Siro”, idetë e tij dhe shembujt për t'u ndjekur janë Atletico e Madridit apo Gjermania, por fjala kyç është një, entuziazëm.

"Në Milanello kam gjetur shumë. Lexova parullat e tifozëve dhe aty ka inat. Uroj që ta gjej diçka të tillë dhe mes lojtarëve, pasi kur të dëgjojmë muzikën e Champions ne nuk do të jemi aty", vijoi Inzaghi.

Inzaghi premtoi se do të rivlerësojë Mario Balotellin, pasi sipas tij është një futbollist që mund të bëjë diferencën por me një paralajmërim të qartë. Pippo fal gabimet teknike por jo ato në sjellje. /albeu.com/
Shtuar më 11/07/2014, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori