Refuzoi hotelin me 5 yje dhe shkonte 45 minuta më këmbë në stërvitje, jeta modeste e Bielsës (FOTO LAJM)

Zyra modeste e Bielsës, në qendrën stërvitore të Leeds
Marcelo Bielsa është hero në Leeds, pasi arriti të rikthejë klubin në Premier League pas 16 vitesh mungesë, ndërsa tani edhe një rrugë në qytet mban emrin e tij, por duket se kjo nuk i bën aspak përshtypje argjentinasit, që gjithmonë qëndron me këmbë në tokë.

Mediat britanike kanë zbuluar detaje nga jeta në qytet e trajnerit argjentinas, që cilësohet si El Loco (i çmenduri) dhe është vërtetë i tillë, pasi ndonëse përfiton një pagë prej rreth 6 milionë paundësh në sezon, preferon të jetojë në mënyrë shumë modeste.

Duke u kthyer pas në kohë, dy vite më parë pronari i Leeds, Andrea Radrizzani udhëtoi drejt Buenos Aires, ku takoi nga afër trajnerin argjentinas dhe i propozoi të marrë drejtimin e klubit, por u përball me disa kushte të çuditshme.

Kështu Bielsa i kishte kërkuar ndërtimin e një qendre fjetjeje dhe relaksimi pranë qendrës stërvitore, ku lojtarët të mund të flinin në hapësirën mes seancave stërvitore, të kishin një pishinë për t’u çlodhur, por edhe salla Play Station-i për të hequr stresin që sjell futbolli.

Megjithatë bosi i klubit anglez pranoi kushtet e Bielsës dhe e solli në Leeds në verën e 2018-ës, ku për pak muaj e sistemoi në një hotel me 5 yje, shumë të njohur në zonë, por “El Loco” duket se nuk ishte rehat në luksin që i ishte ofruar.

Për këtë arsye nisi kërkimet për një apartament dhe arriti të gjejë një të tillë vetëm pak minuta larg qendrës stërvitore të skuadrës, ndërsa gazetarët anglezë e përshkruajnë si vërtetë banesë modeste, me një sallon dhe vetëm një dhomë gjumi.

Edhe për të marrë këtë apartament Bielsa tregoi “çmendurinë” e tij, pasi për disa javë refuzoi të paguajë çmimin që i kërkonte pronari, duke qenë se po i kërkohej një shifër më e madhe sesa ishin çmimet e pronave në zonë.

Të gjithë ata që jetojnë në lagjen pranë qendrës stërvitore të klubit të Leeds United, kanë rast të hasin vazhdimisht në rrugë, në markete apo në kafenenë aty pranë, një “të çmendur” argjentinas, që pavarësisht pagës prej 6 milionë paundësh, ka zgjedhur të jetojë si një pensionist.

Gazetarë sportivë të qytetit tregojnë se sa herë që e kanë hasur në rrugë, i kanë ofruar ta dërgojnë me makinën e tyre në qendrën stërvitore, por Bielsa ka refuzuar gjithmonë me mirësjellje, duke preferuar të ecë në këmbe, me një çantë mbi shpinë, ku mban të gjithë skemat e tij në hedhura mbi letër A4.

Ambientet më të preferuara të trajnerit 65-vjeçar janë restoranti italian Sant Angelo, ku shkon shpesh mbrëmjeve dhe Costa Coffee, një kafene ku ai ulet shpesh me ndihmësit e tij dhe përgatisin skema për futbollistët e Leeds United.

Bielsa është një trajner që ka pasur sukses kudo ku ka punuar në karrierën e tij”, pati deklaruar një gazetar gjerman në shkurt të 2019-ës, por edhe në këtë rast trajneri argjentinas i ishte përgjigjur me modesti.

“Para të gjithash, nuk mund të them se jam një trajner i suksesshëm. Madje do të thosha të kundërtën, pasi kur njerëzit flasin për mua, evidentojnë mungesën e trofeve dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”, pati thënë Bielsa.

Përshkrimin më të mirë të jetesës në Leeds, e ka dhënë vetë trajneri argjentinas, kur në një nga konferencat e zakonshme për shtyp u pyet se si ishte përshtatur me jetesën në Yorkshire.

“Pjesa më e madhe e këtij rajoni është rurale dhe me zemër unë jam një fshatar. Më pëlqejnë peshku dhe patatet e skuqura, por nuk lë mënjanë as biftekun nga Argjentina”, u shpreh Bielsa.






Shtuar më 20/07/2020, ora 20:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori