Shaqiri & Co priten si heronj (FOTO LAJM)

Përfaqësuesja e Zvicrës është kthyer mesditën e sotme nga Shqipëria në Zvicër, në Aeroportin e Zyrihut, një ditë pas ndeshjes që e ka fituar me rezultat 2:1 ndaj Shqipërisë. Në aeroport u është bërë një pritje shumë e përzemërt dhe spontane nga dashamirësit.

Ndonëse në Shqipëri janë pritur dhe përcjellë shumë më mirë se që kanë llogaritur, futbollistët e Zvicrës janë shprehur të lehtësuar me mbërritjen në vendin e tyre.

Mediat shkruajnë se kombëtarja zvicerane në Shqipëri është pritur në mënyrë shembullore dhe se është treguar krejtësisht e pabazë frika se mund të provokohen rëndë ose të sulmohen. Edhe ato pak fishkëllima dhe sharje që janë dëgjuar nga publiku, kanë qenë fare minore për të prishur përshtypjen e përgjithshme të mirë nga Tirana, transmeton albinfo.

Por, Xherdan Shaqiri, të cilit nga ndërhyrjet e ashpra të lojtarëve të kombëtares shqiptare i ishte lënduar kofsha, megjithatë e prish paksa këtë "idil" në deklaratat që ka dhënë para gazetarëve në aeroportin e Zyrihut. "Ju nuk e keni kuptuar se çfarë kanë thirrur ata", ka qenë përgjigja e Xherdanit ndaj vërejtjes së gazetarëve se ndonjë sharje dhe fishkëllimë që është dëgjuar nga publiku nuk ka qenë ndonjë gjë e madhe.

Mirëpo lojtari i Bayern Munchen nuk ra pre e provokimeve. Ai ka vazhduar të luajë dhe madje ka këmbëngulur të qëndrojë në fushë edhe pas pjesës së parë të lojës. "Unë parimisht nuk i lë të luajnë ata që kanë pësuar lëndime. Por ka qenë insistimi i tij që të vazhdojë gjithsesi lojën dhe unë e kam pranuar", ka thënë Hitzfeld duke patur parasysh Shaqirin. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2013, ora 23:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori