Siguria portuale, Noka dhe Kanon vizitë në portin e Durrësit (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Abonohuni për lajmet sportive me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Pak ditë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar “Për shkëmbimin e informacionit për çështje të migracionit”, Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe Ambasadori i Mbretërisë së BashkuarBashkuar Nikolas Kanon, zhvilluan një vizitë në Pikën e Kalimit Kufitar, në Portin e Durrësit.


Gjatë vizitës në këtë Pikë Kalimi Kufitar Kanon u njoh nga afër me punën e policisë kufitare, funksionimin dhe eficencën maksimale të sistemit TIMS apo edhe sistemeve të tjera të kontrollit.

Gjatë prezantimit të punës nga strukturat e policisë kufitare në këtë port, të pranishmit u informuan edhe me shifrat e rezultatet konkrete në vitet e fundit në këtë pikë.

Në përfundim të vizitës duke iu përgjigjur interesimit të mediave të pranishme në këtë aktivitet, ministri Noka u shpreh se qëllimi i kësaj vizite së bashku me ambasadorin Kanon, ishte për të njohur më nga afër standardet e arritura në këtë pikë kufitare.

“Porti i Durrësit është porti më i madh në vend dhe me kënaqësi të madhe konstatuam se megjithëse është pika portuale më e madhe hyrëse e Shqipërisë, është shndërruar në derën e mbyllur për trafiqet e drogave, migracionin e paligjshëm dhe për çdo aktivitet kriminal. Ky konstatim na jep kënaqësi legjitime, e cila vjen si rezultat i teknologjisë moderne të instaluar në këtë port, si rezultat i profesionalizmit të lartë, rrjedhojë e trajnimeve të strukturave të policisë së kufirit dhe migracionit, por vjen edhe si rezultat i vullnetit të qartë politik për të luftuar çdo lloj krimi dhe çdo lloj trafiku. Gjithashtu, konstatuam me kënaqësi se strategjitë e hartuara nga Ministria e Brendshme dhe Qeveria për menaxhimin e integruar të kufijve kanë gjetur një zbatim të përpiktë dhe të saktë”, – u shpreh Ministri Noka.

Ndërkohë, që ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar u shpreh i impresionuar nga profesionalizmi i stafit të përfshirë në sigurinë portuale.

“Më ka bërë përshtypje pozitive profesionalizmi i stafit të përfshirë në këtë detyrë të rëndësishme dhe mbështetja që ata marrin nga udhëheqja politike e këtij vendi. Sigurimi i kufijve është një nga detyrat parësore të çdo shteti. Krimi i organizuar, trafikimi i drogës, migracioni i paligjshëm dhe kontrabanda janë kërcënime për sigurinë e shtetit, të ardhurat e qeverisë, sigurinë dhe mirëqenien e publikut. Në një epokë të integrimit evropian dhe kriminalitetit ndërkufitar, këto kërcënime nuk mund të luftohen nga një vend i vetëm." u shpreh Kanon.


Në portin e Durrësit, si porti më i madh në vend, gjatë vitit 2012 u trajtuan rreth 822 mijë shtetas dhe 204.500 automjete. Pavarësisht, këtij fluksi kaq të madh, arritjet në luftën kundër krimit, trafikut të drogës dhe çdo trafiku të paligjshëm kanë qenë shumë pozitive. /albeu.com/

Shtuar më 12/04/2013, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Get Adobe Flash player