SKANDAL/ RTSH denoncon FSHF-në për ndeshjen e Shqipërisë U21 (FOTO LAJM)

Kombëtarja U21 zhvilloi sot ndeshjen e parë eliminatore për kualifikueset e EURO 2021, megjithatë kjo sfidë nuk u përcoll nga kanali i RTSH, i cili gjithnjë ka transmetuar ndeshjet e Kombëtares.

Një gjë e tillë nuk kaluar pa u denoncuar nga vetë RTSH, e cila vendos gishtin mbi FSHF-në për arrogancën dhe paaftësinë, teksa ka shkelur kushtet e tenderit të organizuara nga vetë ajo. Më poshtë është dhe reagimi i plotë i RTSH:

TJETER SKANDAL!!!
PËRSËRI, FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT…
FSHF NDALON PUBLIKUN TË NDJEKË EKIPIN KOMBETAR!!!

Sot, institucioni më i lartë i futbollit shqiptar ka konsumuar shkeljen dhe skandalin e radhës…
Ekipi Kombëtar U 21 i Shqipërisë luante ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2021, por për herë të parë në historinë e kësaj përfaqësueseje, ajo nuk është shfaqur në asnjë Televizion KOMBETAR.

RTSH ka qenë i vetmi televizion pa pagesë që ka transmetuar të gjitha ndeshjet, jo vetëm të ekipit kombëtar U 21, por edhe të të gjitha ekipeve të moshave të Shqipërisë për vite të tëra, por këtë radhë FSHF, jo vetëm që ka treguar arrogancë dhe paaftësi, por ka shkelur me të dy këmbët kushtet e tenderit për të drejtat televizive që ka organizuar po vetë.

Ndonëse e kishte kusht TË DETYRUAR transmetimin e kësaj ndeshjeje në një Televizion KOMBËTAR, kjo nuk ka ndodhur…(më poshtë në foto..)

RTSH ka marrë një ftesë për ofertë në lidhje me ndeshjen Shqipëri U21– Turqi U21, që luhej në "Elbasan Arena" në 23 mars, në datën 12 mars (vetëm 11 ditë përpara). Në një afat 6 ditor (tenderi mbyllej në 18 mars) për një aktivitet që ishte përcaktuar një vit më parë, FSHF-ja jashtë çdo logjike tenderimi për të drejtat televizive ofronte vetëm një ndeshje (atë ndaj Turqisë) dhe jo gjithë paketën e ndeshjeve të përfaqësueses U 21 të Shqipërisë që do të luhen në vendin tonë.

Interesimit dhe insistimit të RTSH-së për t’i patur të gjitha këto ndeshje në një paketë (ashtu si ka ndodhur HITORIKISHT), institucioni që drejton futbollin nuk i është përgjigjur pozitivisht. Do të ishte e njëjta gjë, sikur FSHF të organizonte për çdo ndeshje të Kategorisë Superiore një tender të veçantë… (por kjo nuk ka ndodhur).

Përveç formulimit skandaloz të ftesës për tender, ku Blerësi i të drejtës televizive të ndeshjes Shqipëri U21 – Turqi U21, duhet të bënte promo edhe për Kategorinë Superiore edhe për gjithë sponsorët e FSHF-së për gati 5 minuta….!!!??

SKANDALI qëndron në faktin, që FSHF sanksiononte në këtë ftesë: që nëse Blerësi i të drejtës televizive do të ishte një Transmetues me Pagesë (ashtu si ndodhi), ai DUHET TE GARANTOJË TRANSMETIMIN LIVE NË NJË TELEVIZION KOMBËTAR….

Sot, ndeshjen Shqipëri U 21 – Turqi U 21, nuk e transmetoi ASNJË TELEVIZION KOMBËTAR dhe për këtë FSHF duhet të përgjigjet…, jo vetëm përpara publikut.

RTSH si transmetues publik, këtë radhë nuk do luaj vetëm rolin e informuesit të publikut, por do ta çoj këtë çështje në Prokurori, duke mbrojtur pikërisht interesin publik, duke dorëzuar një kallëzim penal.

Kombëtarja shqiptare e çfarëdolloj moshe nuk mund t’i shitet publikut, as nuk mund t’i mohohet për ta ndjekur në ekran. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të Botës. Kemi qenë dhe jemi i vetmi Televizion Kombëtar që kërkojmë të blejmë të drejtat televizive të futbollit shqiptar, madje duke çuditur edhe vetë FSHF-në për evente të caktuara, por nuk mund të bëhemi pjesë e tenderave abuzivë, të parregullt, të paracaktuar, ashtu siç është në fakt edhe perceptimi publik për çdo garë organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit…", deklarohej në reagimin e RTSH. /albeu.com/

Shtuar më 23/03/2019, ora 23:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori