Skënderbeu bëhet "mur" në Kazakistan (FOTO LAJM)

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka preferuar ta shpërqendrojë kundërshtarin gjatë stërvitjes së djeshme. Pasi mbërritën në orën 02:50 në Kazakistan (06:50 sipas orës lokale), lojtarët u qetësuan, ndërkohë që disa orë më pas kryen edhe seancën stërvitore. Në fakt, kreu i pankinës së korçarëve provoi një skemë sulmuese, duke aktivizuar dyshen Morina-Pejiç dhe me një mesfushë në formë rombi, të përbërë nga Lilaj, Shkëmbi, Orelesi dhe Sefa.

Gjithsesi, sipas të gjitha gjasave, formacioni do të jetë ndryshe. Josa do i besojë të njëjtës skemë, që funksionoi edhe në Baku kundër Neftçit, ajo 4-1- 4-1, me një mesfushë tepër kompakte dhe me kroatin të vetëm në sulm. Kështu, nga Shehi në portë dhe para tij katërshja e mbrojtjes e përbërë nga Ademir, Radas dhe Gvozdenoviç në qendër dhe Arapi në të majtë.

Në mesin e fushës do të luajë si regjisor Shkëmbi me Orelesin dhe Lilajn që do të jenë dy krahët e tij, për t’ia lehtësuar punën kapitenit të Skënderbeut, duke i krijuar sa më shumë hapësirë në qendër të mesfushës. Do të jetë pikërisht ai lojtari që do "ndërtojë" çdo aksion dhe qetësojë lojën e skuadrës.

Në krahun e djathtë do të jetë me siguri Tomiç, që do të mbushë vendin e lënë bosh nga Gilman Lika, ndërsa në të majtë sigurisht i rikuperuari Jetmir Sefa, por me Abazin gati për të shpërthyer nga stoli. Të dy këta futbollistë do të kenë disi detyra më mbrojtëse se në ndeshjen e Korçës kundër Neftçit dhe, me shumë mundësi, do të jetë sërish Tomiç ai që do të ketë detyrën që të ndihmojë më shumë Pejiç që do të lihet sërish i vetëm në sulm.

Pra, një tjetër "mur" i krijuar nga trajneri Mirel Josa, i cili do mundohet të evitojë sa më shumë shanset për të pësuar gol dhe të shpresojë se do arrijnë të jenë të saktë në rastet që do krijojnë, pavarësisht me forca të pakta në sulm. /albeu.com/


Shtuar më 30/07/2013, ora 12:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori