Stadiumi i Sopotit po merr jetë, ja si po shndërrohet (FOTO LAJM)

Vazhdojnë punimet, edhe pse jo me ritme të shpejta, në stadiumin e Librazhdit. Që në muajin gusht, stadiumi i qytetit iu nënshtrua rikonstruksionit, pasi gjendja e tij ishte në kushte të mjerueshme. Puna nisi me ritme të shpejta në javët e para, por më pas ritmi u ul për arsye nga më të ndryshme, edhe pse deri më tani është bërë gjysma e punës.

Shkallët e stadiumit janë suvatuar dhe po ashtu shtuar disa shkallë më shumë, ndërsa janë për t’u lyer dhe më pas të vihen stolat. Dhomat e zhveshjes do të qëndrojnë aty ku kanë qenë pa u zgjeruar hapësira apo ndryshuar struktura. E vetmja gjë që do ndryshojë është ngjyra nga jashtë dhe suvatimi e restaurimi që do t’i bëhet nga brenda.

Punimet në dhomat e zhveshjes janë në fillim të punës, pasi deri më tani është bërë hedhja e suvasë së vjetër, ndërsa do nisë suvatimi i ri. Ndërsa për sa i përket fushës së blertë puna është disi mbrapa. Aktualisht është përfunduar vetëm drenazhimi i terrenit në gjithë sipërfaqen e tij. Janë hapur dhe kanalet kulluese dhe pritet që, në ditët e ardhshme, të vendosen tubat. Ndërsa fushës pritet t’i bëhet nivelimi final dhe, më pas, shtrimi i tapetit, raporton Panorama.

Ende nuk është vendosur përfundimisht se çfarë tapeti do përzgjidhet, ai natyral apo ai artificial. Në fillim plani ishte që të bëhej mbjellja me bar natyral, por më vonë doli ideja për ta bërë me bar sintetik, pasi natyral donte shumë kohë të vinte në formën optimale. Mendohet që, sipas të gjitha gjasave, stadiumi nuk do mund të përfundojë për këtë sezon.
Shtuar më 26/10/2017, ora 16:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori