10 vjet nga triumfi me Greqinë, Briegel: E mundni Portugalinë (VIDEO)
Pëlqej
4 shtator 2004, ora 20:56. Adrian Aliaj mbushet disa herë me frymë, merr vrull, gjuan fuqishëm nga jashtë zonës dhe shtang portierin grek, duke e dërguar topin në trekëndësh. Një gol që vulosi edhe fitoren historike 2-1 kundër Greqisë, kampione Europe.

Dje u mbushën plot 10 vjet nga ajo ndeshje që mori përmasa të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe që vazhdon të mbetet një fitore frymëzimi për shqiptarët.

"Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë në planin teknik, por ishte fitorja më e bujshme. Nuk do ta harroj kurrë atmosferën që u krijua në stadium dhe në rrugët e Tiranës", shprehet Hans Peter Briegel, trajneri i Shqipërisë në atë periudhë.

Në një intervistë telefonike për "Panorama Sport", tekniku gjerman kujton me nostalgji kohën kur drejtonte skuadrën kuqezi dhe bën një analizë unike për një pjesë të lojtarëve që ka drejtuar, por nuk harron as për sfidën e së dielës, Portugali-Shqipëri.

"Portugalia është skuadër me probleme dhe mungon edhe Ronaldo për shkak se është i dëmtuar. Mendoj se ky është një ndër momentet më të vështira të saj në vitet e fundit. Nuk e njoh skuadrën shqiptare, por shumë miq të mi më kanë folur mirë dhe mendoj se keni shumë shanse që të dilni me pikë. Unë e pashë Portugalinë edhe në Botëror dhe mendoj se ishte një ndër skuadrat më të dobëta. E paorganizuar dhe krejtësisht e varur nga Ronaldo… Mendoj se mund edhe ta mundë në shtëpi me atë gjendje që është. Unë jam larg nga Lisbona vetëm 2 orë e gjysmë dhe do të doja të shkoja t’i shikoja në stadium, por qenkan larg. Aveiro është goxha larg Lisbonës", ka thënë Briegel. /albeu.com/




Shtuar më 05/09/2014, ora 10:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori