120 mijë euro shpërblim për fitoren në Norvegji
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e tij të radhës ka marrë në shqyrtim çështje të ndryshme në lidhje me futbollin, duke konkluduar edhe në vendime të rëndësishme. I tillë ishte shpërblimi prej 120 mijë eurosh për kombëtaren kuqezi, që mori një fitore me shumë vlera në Oslo muajin e kaluar.

Triumfi 0-1 i 22 marsit ndaj Norvegjisë, në fushën e kësaj të fundit, me golin e Hamdi Salihit, do t’i mbushë xhepat e kuqezinjve protagonistë të asaj mbrëmjeje të mrekullueshme. Po ashtu, do t’i karikojë ata për të vijuar me këtë ritëm, në kërkim të realizimit të ëndrrës së madhe të përbashkët, finalet e Botërorit 2014.

Stafi drejtues i kombëtares e ka shpërblimin e vet të parashikuar sipas kontratës së lidhur përpara fillimit të edicionit, pra është jashtë kësaj shume.

Gjithashtu, një ndër vendimet e marra në mbledhjen e së enjtes, që ka të bëjë me ngjyrat kuqezi, ishte fiksimi i 7 qershorit 2013, përpara fillimit të ndeshjes kualifikuese Shqiëri-Norvegji, si data e ceremonisë së lamtumirës nga futbolli të dy lojtarëve të mirënjohur të kombëtares sonë, Altin Lala dhe Ervin Skela. /albeu.com/


Shtuar më 19/04/2013, ora 16:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori