5 pikat, ja si do të mbrohet FSHF-ja në Apel
Menjëherë pas vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit doli në një deklaratë për shtyp ku tregonte rrugën që do të ndiqte në Apel.

"Vendimi është dukshëm i orientuar që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator, ndërkohë që fokusi kryesor në këndvështrimin e FSHF-së duhet të jetë atmosfera ekstremisht e dhunshme dhe ngjarjet që në mënyrë të pakthyeshme ndikuan në ndeshjen e futbollit.

FSHF-ja është plotësisht e orientuar që ta apelojë këtë vendim tek autoritetet kompetente sportive.

Detajet e provave të apelit nuk mund të jepen përpara publikimit të argumenteve të vendimit, por disa çështje janë kategorike:

1. FSHF-ja nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorin serb, brenda dhe jashtë stadiumit.

2. Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie, por sipas raporteve nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtarëve të tjerë të UEFA-s që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurt.

3. Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendës që hynë në fushë.

4. Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.

5. Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendës. Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra shqiptare nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli", thuhet në deklaratë. /albeu.com/
Shtuar më 28/10/2014, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori