Advocaat: Shqipëria e fortë, por fitojmë ne
Trajneri i kombëtares së Serbisë Dick Advocaat, u druhet dy kundërshtarëve të radhës në Grupin I, Shqipërisë dhe Armenisë, por nga ana tjetër beson se ekipi i tij do të marrë maksimumin në këto dy sfida. 67-vjeçari holandez tregon se i njeh shumë mirë pikat e forta dhe të dobëta të kuqezinjëve, por këmbëngul se Serbia është një skuadër më cilësore.

"Serbia synon të marrë pikë të plota në dy ndeshjet e ardhshme. Kemi një ekip të mirë, të cilit unë i besoj shumë. Kam ndjesinë që do të kemi sukses. Jam i kënaqur që po tregojmë shpirtin e grupit, aspekt që për mua është shumë i rëndësishëm dhe për të cilin kam këmbëngulur që kur e kam marrë drejtimin e Serbisë. Shqipëria është një skuadër e fortë dhe e mirorganizuar në fazën mbrojtëse. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë Shqipërinë dhe Armeninë sepse janë shumë të rrezikshme", ka thënë në konferencën për shtyp Advocaat.

Në listën për dy takimet e radhës Advocaat ka grumbulluar sulmuesin e Partizanit të Beogradit Danko Lazoviç, që tre vite e gjysmë më parë kur luante me Zenitin u tërhoq nga kombëtarja.

"E kam thënë gjithmonë se grumbulloj në skuadër lojtarët që më duhen. Danko është njëri prej tyre. E kam ndjekur me shumë kujdes dhe besoj se ka cilësi dhe temperament. E njoh këtë futbollist që nga koha kur luante në Rusi. Unë jam i shqetësuar për faktin se 50% e lojtarëve nuk luajnë rregullisht me klubet e tyre, mirëpo Mitrovic dhe Nastasic u paraqitën mirë ndaj Francës. Gjithësesi ata duhet të bëjnë progres gjatë seancave stërvitore", vijoi holandezi.

Dick Advocaat konfirmoi mungesën e Neven Subotiç, që sipas tij ka vendosur t’i dedikohet vetëm Borussia Dortmund. Ndërsa për Adem Ljajiç u shpreh se nuk e ka mentalitetin e duhur për të përfaqësuar Serbinë. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2014, ora 16:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori