Agim Cana: Loriku, 100% lacial
Babai dhe agjenti i kapitenit të Kombëtares Lorik Cana, Agim Cana ka folur për të ardhmen e djalit të tij dhe për akuzat e francezit Valbuena, sipas të cilit futbollisti i Lazios kur ishte kapiten i Marseille e kishte pritur shumë keq dhe për një kohë të gjatë e kishin bërë të ndjehet keq.


Agim Cana, i kontaktuar nga media italiane, ka mbetur i befasuar nga fjalët e rënda të mesfushorit francez dhe ka saktësuar se djali i tij ka qenë gjithnjë korrekt me shokët dhe me stafin ku ka punuar. "Nuk e di se për çfarë e ka fjalën Valbuena. Është hera e parë që dëgjoj dikë të akuzojë Lorikun për moskorrektësi. Realisht jam i paqartë për pretendimet e Valbuenës, pasi në deklaratat e tij nuk kuptohej se çfarë i kishte bërë Loriku apo ndonjë tjetër", është shprehur Agim Cana për "Lalaziosiamonoi.it".

Lorik Cana është vënë në shënjestër nga Hamburg dhe flitet gjithnjë e më shumë për një kalim të tijin në klubin gjerman, por babai i futbollistit e ka mohuar kategorikisht këtë.

"Cana nuk lëviz nga Lazio. Ai ndihet 100 për qind lacial dhe e do këtë skuadër. Në fillim nuk e pati të lehtë të ambientohej, por ai është njeri me karakter të fortë dhe sot është shndërruar në një pjesë të rëndësishme te kësaj skuadre. Është i ri dhe ka për t’i dhënë shumë Lazios", ka deklaruar Agim Cana. /albeu.com/

Shtuar më 09/05/2013, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori