Ambasada Britanike refuzon vizat për Kombëtaren U-21
Pëlqej
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë refuzon vizat për Kombëtaren Shqiptare të 21 vjeçarëve duke bërë që të dështojë miqësorja e programuar mes “Shpresave” Kuqezi dhe homologëve të Katarit në “Dundee United Stadium” të Skocisë në 6 Gusht. Lajmi është bërë publik nga Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare ku institucioni qeverisës i futbollit shqiptar shpreh gjithë indinjatën për këtë akt të paprecedent të përfaqësisë diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar duke e konsideruar atë një incident të rëndë.

FSHF bën të ditur se për këtë ndeshje ajo ka plotësuar gjithë dokumentacionin përkatës dhe aplikimi për vizat është kryer nëpërmjet agjensisë “Teleperformance”, (e cila është autorizuar zyrtarisht për këto çështje nga Ambasada Angleze në Poloni), në datë 22 dhe 23 Korrik. Gjithashtu janë dorëzuar nga ana e Federatës të gjithë dokumentat përkatës për aktivitetin nga fluturimi, akomodimi, transporti lokal dhe gjithçka tjetër, që ishin të mbuluara. Pavarësisht kësaj si dhe faktit se regjimi i kërkuar i vizave ishte “priority”, ndërsa ekipi priste që të merte vizat këtë të Hënë dhe të nisej në Skoci, drejtuesit e Federatës janë befasuar pasi përgjigja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar ishte një refuzim i papritur me justifikimin “për arsye financiare", pavarësisht dokumentacionit të plotë e të dorëzuar në afat.

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me shqetësim dhe indinjatë ndaj këtij akti të paprecedent që i ndodh një vendi anëtar të FIFA-s, e gjithashtu ka vënë në dijeni të gjithë organizmat ndërkombëtarë të futbollit FIFA dhe UEFA, si dhe Federatën Angleze të Futbollit për këtë ngjarje të rëndë.

Gjithashtu Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon publikisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë që të kërkojë nëpërmjet kanaleve diplomatike shpjegime për këtë incident që cënon jo vetëm ekipet kombëtare shqiptare por gjithë imazhin e Shqipërisë në botë.

FSHF gjithashtu garanton se do të punojë seriozisht në ditët në vijim me të gjithë potencialin e saj që kjo çështje të zbardhet në rang ndërkombnëtar dhe të tilla episode të mos përsëriten më. /albeu.com/
Shtuar më 05/08/2014, ora 09:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori