Ancelotti: Gati për gjithçka, edhe për penalltitë
Carlo Ancelotti e ka përgatitur në çdo detaj të mundshëm çerekfinalen e kthimit në Champions League kundër Atletico Madrid. Trajneri i Real Madrid ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm duke deklaruar se skuadra e tij i ka testuar të dy modulet, pavarësisht mungesave të shumta.

"Nuk ka shumë rëndësi skema sepse lojtarët duhet të jenë të freskët dhe të karikuar. Do të kërkojmë ta luajmë topin si në ndeshjen e parë. Atletico është një skuadër shumë e fortë por ajo që treguam në ndeshjen e parë duhet ta na japë besim. Për të fituar duhet të shfrytëzojmë disa mënyra dhe unë do të hedh në fushë skuadrën më të mirë", tha Ancelotti në konferencën për shtyp.

Në vijim, italiani shtoi se të gjithë lojtarët që ka në dispozicion janë mirë fizikisht por formacionin nuk e ka vendosur ende.

"E kam thënë përherë se jemi skuadra më e mirë në botë dhe unë kam shumë besim te lojtarët. Ne dhe tifozët kemi të njëjtin entuziazëm dhe të gjithë bashkë dëshirojmë të arrijmë në gjysmëfinale", vijoi tekniku i "Los Blancos".

Ndeshja mund të mos ketë gola për 120 minuta dhe një skenar i mundshëm janë edhe penalltitë.

"Jemi përgatitur edhe për penalltitë. Gjithsesi është diçka tjetër t’i provosh penalltitë në stërvitje dhe tjetër gjë t’i interpretosh në një ndeshje të këtij niveli. Unë e përsëris se skuadra duhet të luajë si në ndeshjen e parë. Duhet të sulmojmë me intensitet por pa u nxituar sepse nuk kemi asnjë nxitim për të shënuar sa më shpejt", ka mbyllur konferencën për shtyp Carlo Ancelotti. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2015, ora 17:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori