Avdijaj në Kombëtare, Duka i dërgon mesazh (VIDEO)
Pëlqej
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka ftuar zyrtarisht për të qenë pjesë e kuqezinjve talentin shqiptar të Schalke 04, Dionis Avdijaj. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta të "Panorama Sport" pranë FSHF-së, teksa institucioni i futbollit po e merr me shumë seriozitet afrimin e 18-vjeçarit.

Zyrtarë të federatës po negociojnë me babanë e talentit me origjinë kosovare, që ka lindur në Osnabruck të Gjermanisë. Më 1 korrik Avdijaj ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me klubin gjerman, ndërsa dëmshpërblimi për prishjen e saj është në shumën rekord të 48 milionë eurove.

Nga sa mësohet, për të joshur të riun, FSHF i ka ofruar direkt Kombëtaren A, pa kaluar më parë te skuadrat e moshave kuqezi.

"Ai ka vendosur si kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me Shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar se do të kishte qenë më mirë nëse ai do provonte të luante pak kohë me ekipin që drejton Gega. Ju siguroj se nëse luan, qoftë edhe pak minuta me Shalken në këtë fillimkampionati, do ta thërras për ndeshjen e shtatorit me Portugalinë. Sigurisht, po bëri edhe ndonjë gol do jetë akoma edhe më mirë", është shprehur javë më parë De Biasi.

Mesazhi i Dukës - Që FSHF e ka marrë shumë seriozisht çështjen "Avdijaj", tregohet qartë në mesazhin që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka dërguar dje talentit për ditëlindje.

"I dashur Donis, në emër të FSHF dhe në emrin tim personal, dëshiroja t’ju uroja me rastin e ditëlindjes një jetë të mbushur me suksese, qoftë në aspektin familjar, por edhe në karrierën tuaj sportive", shkruhet në mesazhin e kreut të FSHF-së. /albeu.com/
Shtuar më 26/08/2014, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori